Shqipëria Postuar më 31 Mars 2026, 11:25

Energjia e pastër, rritet interesi për Garancinë e Origjinës - Katër kompani aplikojnë brenda pak javësh pranë Entit Rregullator të Energjisë

Nga Ola Mitre

Energjia e pastër, rritet interesi për Garancinë e Origjinës

Brenda pak javësh, katër kompani kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për t’u pajisur me Certifikatën e Garancisë së Origjinës. Bëhet fjalë për Ener Trade, Nova Solar, Devolli HydropoWer dhe Noa Energy Trade, duke sinjalizuar një rritje të interesit për këtë instrument në tregun vendas të energjisë. Ky zhvillim vjen në një kohë kur regjistri i garancive të origjinës, ndonëse aktiv prej disa vitesh, rezulton me një përdorim tejet të kufizuar.

Ndërkohë, rritja e kërkesës lidhet edhe me zhvillimet në tregun evropian, ku kompanitë po përballen me kërkesa gjithnjë e më të forta për transparencë mbi burimin e energjisë dhe gjurmën e karbonit. Edhe pse Garancia e Origjinës nuk përbën një detyrim të drejtpërdrejtë në kuadër të Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufi, i miratuar nga Bashkimi Evropian, ajo po përdoret gjerësisht si një mjet për të dokumentuar përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe për t’u përgatitur për standardet e reja klimatike dhe raportuese.

Garancia e Origjinës është një dokument elektronik që provon se një pjesë ose e gjithë energjia e konsumuar nga një subjekt është prodhuar nga burime të rinovueshme, si era, dielli, energjia hidrike apo biomasa. Çdo subjekt, fizik apo juridik, mund të aplikojë për regjistrim në këtë sistem, duke u kategorizuar si prodhues, furnizues, tregtar, operator i energjisë së rinovueshme, tregtar i garancive apo klient fundor.

Blerja e certifikatave të garancisë së origjinës është e vetmja mënyrë për të dokumentuar në mënyrë të besueshme konsumin e energjisë së rinovueshme në Evropë. Një garanci origjine u sjell përfitime kompanive, duke ofruar reduktime të provuara dhe të verifikueshme të emetimeve. Ato janë mjete efikase, të njohura dhe të mbështetura nga legjislacioni për të dokumentuar dhe formalizuar angazhimin për energji elektrike të qëndrueshme.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat