Shqipëria Postuar më 28 Prill 2026, 19:01

Çelet panairi më i madh i bujqësisë në vend, për 3 ditë, Lushnja qendër takimi për fermerët

Nga SCAN TV

Çelet panairi më i madh i bujqësisë në vend, për

Është çelur Panairi “Ditët e Bujqësisë” për vitin 2026, panairi i vetëm ndërkombëtar në Shqipëri dedikuar këtij sektori, organizuar për të pestin vit radhazi nga Iceberg Exhibitions.

Për tre ditë me radhë, qyteti i Lushnjes, konsideruar ndryshe si hambari i Shqipërisë, mirëpret profesionistë të industrisë, prodhues, furnizues, studiues dhe vendimmarrës për të ndarë njohuri, nxitur inovacionin dhe krijuar bashkëpunime. Gjatë ceremonisë hapëse, Ceo e Iceberg Exhibitions, Enejda Sheku, u shpreh se kjo është një hapësirë dedikuar njerëzve të cilët bëjnë bujqësi çdo ditë.

“Ky është panairi, i cili aktor kryesor ka fermerin, fermerin për t'u informuar, për t'u ndërgjegjësuar për praktikat më të reja inovative, për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi dhe partneriteti. Përveç Panairit Ditët e Bujqësisë kemi Festën e Bujqësisë, sepse është momenti për të celebruar punën, për të celebruar shpresën që bujqësia mbjell çdo ditë”, tha Sheku.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, i cili theksoi se institucioni që ai drejton synon që ta ngrejë bujqësinë në një nivel tjetër, në atë të standardeve evropiane.

“Këtu sot nuk janë vetëm bizneset shqiptare, por përfaqësohemi edhe nga biznese të rajonit, të Evropës, gjë e cila na bën që secili nga ne të shkëmbejë eksperiencat, por edhe të lidhë kontrata midis bizneseve, në mënyrë që ne atë që prodhojmë këtu të kemi një mundësi jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar. Dua të falenderoj për organizimin, është një organizim jashtëzakonisht i shkëlqyer mund të them, për shkak të mundësisë që i ka dhënë qytetit”, u shpreh Ministri.

Sipas përfaqësuesve nga Vodafone Albania, partneri kryesor i panairit “Ditët e Bujqësisë”, ky është një event që bashkon njerëzit, fermerët dhe bizneset, që përbëjnë një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.

“Ne në Vodafone besojmë se teknologjia ka një vlerë të vërtetë vetëm kur krijon një ndikim konkret, kur ndihmon bizneset të punojnë më inteligjentë, me më efikasitet dhe të rriten në mënyrë të qëndrueshme”.

Mbështetës të tjerë të Panairit prezantuan gjithashtu shërbimet që ata ofrojnë për të lehtësuar punën e fermerëve.

“Është kompani që shet dhe importon me shumicë inpute bujqësore, është kompani ndërkombëtare, punon në një numër të madh shtetesh, mbi 50 shtetesh prej 90 vitesh. E konsiderojmë si një nga ditët më të veçanta për të takuar kolegë, partnerë e kështu me radhë” – Përfaqësues nga Agrimatco Albania.

“Ky është i treti raund që po mbështesim bizneset shqiptare, që të përmirësojnë imazhin, cilësinë, mundësinë për eksport, dhe me një mbështetje modeste financiare për të pasur një lloj aksesi më të mirë të produkteve dhe përmirësim të cilësisë së tyre që të kenë mundësi për ta eksportuar dhe për ta prodhuar në vend më përpara” – Përfaqësues nga UNDP.

“Stenda përfaqëson laboratorin mjekësor të analizave të tokës, menaxhuar nga Urban Lab Divjakë. Ne ofrojmë shërbimin e analizave të tokës për fermerët, për qëllime bujqësore, për qëllime plehërimi, për qëllime zgjedhje kulture”, Përfaqësues i Urban Lab, Divjakë.

Panairi do të jetë i hapur deri në 30 prill, me workshope, prezantime e panele diskutimi nga mbështetës të Panairit, Bashkia Lushnje, Bashkia Vlorë dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat