FunData Postuar më 28 Prill 2026, 11:08

Europa zgjedh Gjermaninë, Shqipëria i qëndron Italisë/ Mbi një e katërta e tregtisë në vitin 2025 lidhej me vendin fqinj

Nga Xhorxhina Deda

Europa zgjedh Gjermaninë, Shqipëria i qëndron Italisë/ Mbi

Në hartën ekonomike të Europës, Gjermania shfaqet si qendra kryesore e gravitetit tregtar për shumicën e vendeve të kontinentit. Megjithatë, Shqipëria ndjek një linjë tjetër, partneri i saj më i madh tregtar mbetet Italia.

Të dhënat e publikuara nga Visual Capitalist (shiko këtu), për periudhën Janar-Shtator 2025, tregojnë se një pjesë e madhe e vendeve europiane kanë Gjermaninë si partnerin kryesor tregtar. Mes tyre janë Austria, Hungaria, Polonia, Çekia, Rumania, Suedia, Norvegjia dhe Serbia, duke konfirmuar rolin dominues të ekonomisë gjermane në tregtinë europiane.

Në këtë panoramë të dominuar nga Gjermania, Shqipëria mbetet ndër vendet që ruajnë një orientim tjetër ekonomik, duke pasur Italinë si partnerin më të madh tregtar. Ky model nuk është i rastësishëm dhe lidhet me afërsinë gjeografike, lidhjet historike ekonomike dhe zhvillimin e industrisë fason, e cila për dekada ka qenë e lidhur ngushtë me tregun italian. Në të gjithë hartën europiane, vetëm Shqipëria dhe Malta kanë Italinë si partnerin kryesor tregtar,

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se Italia zë 26.8% të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, duke përfshirë si eksportet ashtu edhe importet. Pas saj renditet Kina me 10.5%, duke reflektuar rolin e saj në furnizimin me mallra dhe materiale për tregun shqiptar.

Në vijim të listës, Greqia zë 7.6% të shkëmbimeve tregtare, ndërsa Turqia 7.3%. Gjermania, megjithëse dominon në nivel europian, renditet në vendin e pestë për Shqipërinë me 6.7% të tregtisë totale.

Lista e partnerëve tregtarë tregon gjithashtu rëndësinë e rajonit në ekonominë shqiptare. Kosova përbën 4% të shkëmbimeve tregtare, ndërsa Serbia zë 2.6%, duke reflektuar lidhjet ekonomike brenda rajonit të Ballkanit.

Përveç Gjermanisë, disa vende të tjera luajnë rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve europiane, si Italia për Shqipërinë dhe Maltën, Shtetet e Bashkuara për Irlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe Franca dhe Spanja për vendet e Europës Jugperëndimore.

Europa zgjedh Gjermaninë, Shqipëria i qëndron Italisë/ Mbi

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat