Shqipëria Postuar më 28 Prill 2026, 11:22

Pensionet e reja, llogariten me koeficientë indeksimi 6.4% - Vendimi, përfitojnë 40 mijë qytetarë që u lind e drejta për pension nga 1 janari 2026

Nga Elisabeta Dosku

Pensionet e reja, llogariten me koeficientë indeksimi 6.4% - Vendimi,

Rreth 40 mijë qytetarë që u lind e drejta për pension nga data 1 janari 2026, do të kenë të ardhura mujore të llogaritura me koeficientët e indeksuar.

Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë në fuqi, përcakton miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2024, me koeficient indeksi 6.4 %, të llogaritur sipas kritereve të ligjit në fuqi.

Indeksi prej 6.4% aplikohet për llogaritjen e bazës së  vlerësuar individuale vjetore, të arritur nëpërmjet  kontributeve të paguara dhe rivlerësimeve të tyre, të  kryera deri në vitin 2024, dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së masës fillestare mujore të pensioneve, me datë lindjeje të s ë drejtës, nga data 1.1.2026 e në vazhdim.

Vendimi detajon se pas aplikimit  të indeksit të vitit 2024, baza e  vlerësuar për efekt të llogaritjes së masës fillestare  mujore të pensioneve për ata individë që u lind e drejta nga 1 Janari 2026 nuk mund të jetë më i lartë se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, për  pagat e periudhës, nga viti 1994 deri në 31.12.2001 si dhe sa paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar  sipas kritereve të ligjit të vitit 1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”,  të ndryshuar, për pagat e periudhës, nga  viti 2002 e në vazhdim.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i  këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve dhe aplikohen vetëm për  pensionet që caktohen me datë lindjeje të së drejtës,  nga data 1.1.2026 e në vazhdim, dhe përballohen  brenda buxhetit vjetor, të miratuar për Institutin e  Sigurimeve Shoqërore

Ky vendim ka për qëllim përmirësimin e sistemit të pensioneve duke harmonizuar shumën mujore fillestare me kontributet që individët kanë derdhur gjatë viteve të punës.

Indeksimi do të sigurojë që pensionet e reja të jenë në përputhje me pagat e deklaruara dhe kontributet e derdhura, duke sjellë një rritje të drejtë dhe transparente për përfituesit.

Ky vendim pritet të ketë ndikim në rritjen e fuqisë blerëse të pensionistëve të rinj. Indeksimi, si detyrim ligjor,  është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të shtetit për të përmirësuar sistemin e sigurimeve shoqërore dhe për të siguruar që çdo qytetar të përfitojë në përputhje me kontributet e tij.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat