Shqipëria Postuar më 28 Prill 2026, 11:39

Koçiu: Shqipëria forcon pozicionin e saj si një partner strategjik dhe i besueshëm ndërkombëtar

Nga SCAN TV

Koçiu: Shqipëria forcon pozicionin e saj si një partner

Shqipëria ka mirëpritur një ekip vlerësuesish nga Komiteti i Ekspertëve të Këshillit të Evropës për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL), (14 – 24 prill), si pjesë e raundit të 6-të të vlerësimeve të ndërsjella, një moment i rëndësishëm ky për të dëshmuar progresin konkret dhe drejtimin e duhur të reformave në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Qëllimi kryesor i këtij procesi është vlerësimi i efektivitetit të zbatimit të standardeve ndërkombëtare në Shqipëri për luftën kundër pastrimit të parave, kundër financimit të terrorizmit dhe kundër financimit të përhapjes, në përputhje me Metodologjinë dhe Standardet e rishikuara të FATF.

Në hapje të vizitës në terren, Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila mikpriti në një takim të nivelit të lartë trupën e ekspertëve vlerësues të Komitetit MONEYVAL, - theksoi se angazhimi i institucioneve shqiptare është i plotë dhe i qëndrueshëm, duke e parë këtë proces, jo thjesht si një detyrim ndërkombëtar, por si një mundësi për të përmirësuar më tej funksionimin e sistemit financiar dhe reputacionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Ne e shohim këtë vlerësim, jo vetëm si një detyrim, por si një mundësi për të përmirësuar më tej sistemin tonë, për të rritur transparencën dhe për të ndërtuar besim të qëndrueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë. Si përfundim, dëshiroj të theksoj edhe njëherë angazhimin, seriozitetin dhe përkushtimin e të gjitha institucioneve shqiptare për zbatimin me rigorozitet të rekomandimeve të FATF dhe MONEYVAL, si dhe për rritjen e mëtejshme të efektivitetit të sistemit tonë parandalues, për të vazhduar demonstrimin se Shqipëria vazhdon të jetë një partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare.” – u shpreh ajo në takimin e mirëseardhjes.

Ndërkohë që gjatë dy javëve të qëndrimit, ekipi i vlerësimit të MONEYVAL u takua edhe me përfaqësues të agjencive kyçe përkatëse të vendit, duke përfshirë ministritë, autoritetet e zbatimit të ligjit dhe mbikëqyrës, dhe agjenci të tjera operacionale. Takimet u zhvilluan edhe me përfaqësues të sektorit privat, duke përfshirë banka dhe institucione të tjera financiare, si dhe organizata jofitimprurëse.

Ekipi i vlerësimit përbëhet nga ekspertë të MONEYVAL me përvojë ligjore, financiare dhe në zbatimin e ligjit.

Dalja nga lista gri e FATF për pastrimin e parave dhe përmirësimi i vazhdueshëm i treguesve financiarë dhe ekonomikë tregojnë qartë progresin e Shqipërisë,  duke forcuar pozicionin e vendit si një partner strategjik dhe i besueshëm ndërkombëtar.

Në mbyllje, të kësaj vizite, Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u shpreh lidhur me të:

“Shqipëria mirëpret misionin vlerësues të MoneyVal kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në vitin 2023 Shqipëria doli nga lista gri e vendeve me problematikë në pastrimin e parave, një arritje e rëndësishme sidomos në një kohë kur edhe vende të tjera përfshirë në Europë, mbeten ende pjesë e saj.

Formalizimi i ekonomisë, avancimi i qeverisë në luftën kundër pastrimit të parave, është përkthyer tashëm në më shumë besim dhe investime brenda sistemit bankar.

Një tjetër prioritet është ulja e përdorimit të cash-it dhe kalimi drejt një ekonomie digjitale dhe të gjurmueshme duke ndërtuar një sistem financiar më të fortë, më transparent dhe plotësisht në përputhej me standardet europiane.

Vetëm në fillim të këtij viti kemi 30% më shumë transaksione online apo 25% rritje të transaksioneve në euro. Ndërsa vetëm vitin që lamë pas kemi 13% rritje të kreditimit të ekonomisë dhe mbi 1.5 miliard euro investime të huaja direkte, një rekord historik ky.

Këta tregues flasin qartë; kapitali po qarkullon gjithnjë e më shumë, brenda sistemit bankar në kanale të monitoruara dhe transparente.

Paralelisht, kemi trefishuar rastet e bllokimeve dhe sekuestrimeve të aseteve me origjinë të dyshimtë. Ndërkohë ligji i miratuar forcon ndjeshëm mekanizmat për monitorimin dhe bllokimin në kohë reale të transaksioneve të dyshimta.

Tani, teknologjitë e reja dhe inteligjenca artificiale, na japin mundësinë për të rritur edhe më tej efektivitetin e kësaj lufte.”

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat