Shqipëria Postuar më 13 Mars 2026, 11:22

Cilat janë objektivat për Strategjinë e Arsimit? - Nga kurrikula te digjitalizimi, përafrimi me standardin europian

Nga Fabjona Pasho

Cilat janë objektivat për Strategjinë e Arsimit? - Nga kurrikula

Qeveria ka miratuar nisjen e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2027–2032, që do të përcaktojë drejtimin e zhvillimit të sektorit në vitet e ardhshme dhe përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Europian.

Strategjia e re do të ndërtohet mbi dy shtylla kryesore: arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë së bashku me kërkimin shkencor. Një nga prioritetet kryesore do të jetë modernizimi i kurrikulës, për arsimin parauniversitar dhe që do të shtrihet gradualisht deri në vitin 2032. Ky ndryshim vjen si pasojë e rezultateve të dobta të nxënësve shqiptarë në testimet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë do të vijojë edhe digjitalizimi i sistemit arsimor, përmes zgjerimit të platformës së menaxhimit të informacionit në arsim.

Sa i përket arsimit të lartë, fokusi do të jetë rritja e cilësisë dhe ndërkombëtarizimi i universiteteve, përmes rishikimit të ligjit për arsimin e lartë dhe hapjes së sistemit universitar shqiptar ndaj bashkëpunimit me universitete ndërkombëtare.

Reformat në arsim lidhen drejtpërdrejt edhe me procesin e integrimit europian. Politikat për arsimin dhe kulturën trajtohen në Kapitullin 26 të negociatave, pjesë e grup-kapitullit “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”.  Ky kapitull kërkon që vendet kandidate të përmirësojnë cilësinë e arsimit, të forcojnë kërkimin shkencor, të rrisin mobilitetin e studentëve dhe të harmonizojnë sistemin e diplomave me hapësirën europiane të arsimit.

Po ashtu, objektivat europiane synojnë uljen e braktisjes së shkollës, rritjen e përqindjes së të rinjve me arsim të lartë dhe forcimin e lidhjes mes universiteteve dhe tregut të punës.

Pas hapjes së kapitullit, në piketat përmbyllëse, Shqipëria duhet të dëshmojë se ka kuadrin institucional, politikat dhe burimet financiare për të zbatuar standardet e BE-së në arsim, trajnim, rini, sport dhe kulturë, si dhe të marrë masa kundër korrupsionit në këto sektorë.

Gjithashtu kërkohet afrim me objektivat e Zonës Europiane të Arsimit, krijimi i një sistemi të besueshëm monitorimi dhe politika që nxisin arsim gjithëpërfshirës dhe përfshirjen e grupeve vulnerabël.

Në këtë kuadër, strategjia e re e arsimit synon të garantojë vazhdimësinë e reformave të nisura, duke e orientuar sistemin arsimor shqiptar drejt standardeve të Bashkimit Europian dhe kërkesave të tregut europian të punës në vitet e ardhshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat