Shqipëria Postuar më 13 Mars 2026, 11:21

Elektrifikimi i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas/ 46 mln lekë për spostimin e linjave elektrike. Projekti do garantojë funksionimin e linjës

Nga Ola Mitre

Elektrifikimi i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas/ 46 mln lekë

Me një fond limit prej rreth 46 mln lekë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka hapur tenderin për spostimin e linjave elektrike përgjatë segmentit hekurudhor Tiranë – Durrës – Rinas.

Sipas dokumenteve shoqërues, ripozicionimi i linjave elektrike do të garantojë sigurinë dhe funksionalitetin e linjës hekurudhore, por gjithashtu do të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike, të abonenteve familjarë dhe privatë që janë të lidhur me rrjetin ekzistues.

Projekti parashikon spostimin dhe eliminimin e transversimeve ajrore të linjave elektrike, duke i zëvendësuar ato me një rrjet të ri linjash kabllore nëntokësore, të cilat në disa segmente do të kalojnë nën shinat e trenit. Ndërhyrja përfshin spostimin e linjave ajrore 0.4 kV, 6kV, 20kV dhe 35kV.

Ndërkaq, pak ditë më parë në mbledhjen e qeverisë u miratua në parim një marrëveshje huaje me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim me vlerë rreth 11.7 mln euro për elektrifikimin e linjës. Si kreditore, në shtator të vitit të kaluar BERZH hapi dhe tenderin me 2 faza për punimet e elektrifikimit, teksa faza e parë përfshinte vetëm propozimin teknik, pa çmime, së bashku me çdo devijim të arsyetuar nga kërkesat, si dhe dokumentet e kualifikimit. Sipas autoriteteve, ndërtimi i linjës përfundon këtë vit, ndërkohë që elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për nisjen e operimeve synohet të përmbyllet në 3-mujorin e parë 2027.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat