Shqipëria Postuar më 17 Tetor 2025, 13:12

“Caktoni çmim për vetëprodhuesit e energjisë” - Kuvendi i kërkon ERE-s të marrë masat, pas miratimit të metodologjisë nga qeveria

Nga Ola Mitre

“Caktoni çmim për vetëprodhuesit e energjisë”

Kuvendi i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë të ndërmarrë hapat për caktimin e çmimit të energjisë elektrike të prodhuar nga vetëprodhuesit e energjisë. Në rezolutën e fundmit për ERE-n, Parlamenti thekson se pas miratimit të metodologjisë përkatëse nga Këshilli i Ministrave, duhet të merren masat e nevojshme për miratimin në kohë të çmimit të energjisë së gjeneruar nga vetëprodhuesit, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e tregut të energjisë së gjelbër.

Më herët edhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka kërkuar që Shqipëria të zbatojë sistemin e faturimit neto për vetëprodhuesit. Ky është një mekanizëm që lejon konsumatorët të përfitojnë në faturë vlerën neto të energjisë së konsumuar nga rrjeti dhe asaj të futur në rrjet, duke krijuar një skemë më të drejtë dhe nxitëse për investimet familjare dhe private në burimet e rinovueshme.

Të dhënat e fundit nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes tregojnë se numri i autokonsumatorëve u rrit me 21.6% gjatë vitit 2024, krahasuar me një vit më parë. Vetëm gjatë vitit të kaluar, OSHEE miratoi aplikimet e 887 klientëve të rinj, duke e çuar numrin total të vetëprodhuesve në 2415, me një kapacitet të instaluar prej mbi 216 MWp.

Në këtë total, 1645 janë konsumatorë privatë, 705 familjarë, ndërsa 51 institucione shtetërore, përfshirë bashki, shkolla dhe ministri, që kanë instaluar panele diellore për prodhimin e energjisë. Kjo krahas 15 njësive jobuxhetore si ujësjellësa apo qendra shëndetësore. Vetë ERE e ka cilësuar këtë diversifikim të klientëve si një sinjal pozitiv që tregon përfshirjen në rritje të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve në nismat për vetëprodhimin e energjisë dhe reduktimin e varësisë nga rrjeti.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat