Shqipëria Postuar më 31 Tetor 2025, 11:27

Bizneset nën vëzhgim, shtohen pezullimet e paralajmërimet - Nga këshillimet, te gjobat. Si po ndryshon mjedisi i punës këtë vit?

Nga Diamila Leka

Bizneset nën vëzhgim, shtohen pezullimet e paralajmërimet - Nga

Me shtimin e kontrolleve në sektorin e bizneseve gjatë vitit 2025, është vënë re një rritje e dukshme e masave administrative dhe e ndërhyrjeve për mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve. Nga janari deri në shtator, në të gjithë vendin janë inspektuar 7,033 subjekte, ndërsa 5,960 prej tyre janë kontrolluar mbi bazë risku, në përputhje me planin vjetor të monitorimit.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është ai i subjekteve të reja të këshilluara, që arrin në 14,821 biznese të informuara për detyrimet dhe të drejtat që rrjedhin nga legjislacioni i punës, me qëllim forcimin e kulturës së respektimit të ligjit në vendin e punës. Gjatë kësaj periudhe janë kryer edhe 695 inspektime për shkak ankesash, 39% më shumë se një vit më parë. 78% e tyre janë zgjidhur në favor të punëmarrësve, çka dëshmon efektivitetin e ndërhyrjeve në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Në rritje rezultojnë edhe masat ndëshkuese, janë regjistruar 1,040 pezullime, 3% më shumë, si dhe 2,813 paralajmërime, që përbëjnë një rritje të lartë prej 119% krahasuar me 2024. Ndërkohë, numri i gjobave ka arritur në 190, 40 më shumë se një vit më parë, me një rritje prej 11% në vlerë monetare.

Kontrollet e shtuar kanë ndikuar pozitivisht edhe në formalizimin e tregut të punës. Gjatë nëntëmujorit të parë të vitit, është evidentuar një rritje prej 9% të punëmarrësve informalë të identifikuar, duke sjellë 23,960,520 lekë në muaj të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit pas deklarimit të tyre.

Këto shifra tregojnë se përmes intensifikimit të inspektimeve dhe ndjekjes më rigoroze të shkeljeve, po arrihen rezultate konkrete në mbrojtjen e punëmarrësve dhe në rritjen e transparencës në tregun e punës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat