Banka e Shqipërisë me plan të ri për pagesat digjitale, Sejko: Cash-i mbetet sfidë për ekonominë

Nga ulja e kostove të transfertave në euro pas anëtarësimit në SEPA, te rritja e pagesave digjitale dhe projektet për pagesa të menjëhershme, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të premten se sistemi shqiptar i pagesave po afrohet gjithnjë e më shumë me standardet evropiane.
Në fjalën e mbajtur në ëorkshop-in “Cashless Albania – Një ekonomi pa përdorimin e parasë fizike: a jemi gati?”, Sejko tha se Banka e Shqipërisë ka qenë prej vitesh promotore e reformave për digjitalizimin e pagesave, me synimin për të reduktuar përdorimin e parasë fizike dhe për të rritur efikasitetin e sistemit financiar.
Një nga zhvillimet që ai e cilësoi më të rëndësishëm ishte anëtarësimi i Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
"Kurorëzimi i gjithë iniciativave ligjore dhe infrastrukturore është padyshim anëtarësimi ynë në SEPA. Tashmë të gjitha bankat dhe një institucion jobankë janë anëtarë të SEPA-s. Me të drejtë, kjo arritje është konsideruar historike jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por edhe për të gjithë vendin. Falë SEPA-s, qytetarët dhe bizneset tona kryejnë pagesa ndërkufitare në Euro me të njëjtën lehtësi dhe shpejtësi si qytetarët e një shteti anëtar të BE-së. Transfertat në Euro me vendet anëtare të SEPA-s kushtojnë deri në 20 herë më lirë se një vit më parë, kur ne nuk ishim ende pjesë e saj. Studime ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria mund të kursejë deri në 70 milionë euro në vitin e parë vetëm nga komisionet më të ulëta të përdorimit të skemave SEPA", tha Guvernatori.
Sejko u ndal edhe te reformat që, sipas tij, kanë krijuar bazën për këtë transformim. Ai solli në kujtesë faktin se Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që përfshiu direktivën evropiane PSD2, duke hapur tregun për aktorët fintech dhe për konceptin e "open banking". Po ashtu, Sejko veçoi hyrjen në fuqi të ligjit për llogarinë bazike të pagesave, që u mundëson qytetarëve të hapin llogari bankare pa tarifa ose me tarifa të reduktuara dhe të kryejnë pagesa elektronike.
Një tjetër zhvillim që sipas Guvernatorit ka ndikuar në modernizimin e sistemit është edhe krijimi i sistemit AIPS Euro, i cili ka shmangur nevojën për transfertat përmes bankave korrespondente, duke ulur kostot dhe duke përshpejtuar pagesat në euro brenda vendit.
Sipas Sejkos, efektet e këtyre reformave po reflektohen edhe në mënyrën se si shqiptarët po përdorin instrumentet e pagesave.
"Numri i pagesave digjitale për frymë llogaritet në 29 në vit, nga 5 pagesa 10 vite më parë. Pagesat digjitale vijojnë të shënojnë rritje prej rreth 25% çdo vit dhe zënë peshën më të madhe në totalin e pagesave të regjistruara në sistemet tona. Numri i kartave në qarkullim ka arritur në 1.5 milionë; rrjeti i terminaleve POS zgjerohet çdo muaj, me një shtrirje më të madhe gjeografike. Këto të dhëna pasqyrojnë tendenca strukturore të konsoliduara dhe konfirmojnë rritjen e besimit të publikut ndaj instrumenteve elektronike të pagesave", deklaroi ai.
Megjithatë, Guvernatori theksoi se procesi i reduktimit të parasë fizike kërkon punë të koordinuar.
"Pagesat me para fizike vazhdojnë të mbizotërojnë në segmentin e bizneseve të vogla, në ekonominë informale dhe në zonat me infrastrukturë bankare të kufizuar. Këto boshllëqe kërkojnë adresim të koordinuar", u shpreh Sejko.
Për periudhën në vijim, Banka e Shqipërisë do të fokusohet në zhvillimin e infrastrukturës së re të pagesave.
"Prioriteti kryesor i infrastrukturës për periudhën në vijim është implementimi i platformës kombëtare të pagesave të menjëhershme, e ndërtuar mbi modelin TIPS të Eurosistemit. Kjo platformë do të garantojë procesimin e transaksioneve në kohë reale, me disponueshmëri 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, 365 ditë në vit, duke eliminuar kufizimet operacionale të sistemeve aktuale të pagesave", tha ai.
Paralelisht, Banka e Shqipërisë po përgatit edhe ndryshime ligjore që do t'u japin institucioneve të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike akses të drejtpërdrejtë në sistemet kombëtare të pagesave, një hap që sipas Guvernatorit do të krijojë kushte të barabarta për të gjithë ofruesit e shërbimeve të pagesave.
Në përfundim të fjalës së tij, Sejko vuri theksin te edukimi financiar, duke e cilësuar atë një kusht të domosdoshëm për suksesin e reformave në fushën e pagesave elektronike.
"Infrastruktura teknike, sado e avancuar, nuk mund të prodhojë ndikimin e synuar nëse qytetarët nuk disponojnë njohuritë dhe besimin e nevojshëm për të përfituar prej saj", tha Guvernatori, duke shtuar se Banka e Shqipërisë do të vijojë programet e edukimit financiar në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe organizatat e shoqërisë civile.
Plazhet publike, ministri Gonxhja: Tipologji të ndryshme dhe pagesa të ndryshme sipas kostos
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, foli pas mbledhjes së Qeverisë, për plazhet publike me pagesë. Gonxhja tha se plazhet publike po......
Vendimi i Qeverisë: Nga 1 korriku 2026 pensionet indeksohen me 2.7%, përfitojnë 900 mijë qytetarë
Sipas vendimit, pensionet urbane të pleqërisë shtohen me afro 543 lekë në muaj, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të......
AKSK paralajmëron qytetarët: Kujdes nga mesazhet mashtruese për gjoba trafiku
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes ndaj një skeme mashtrimi që po qarkullon përmes mesazheve......
Të ardhurat nga qiradhënia në 2025 ishin 221 milionë lekë - AAPSK: Fondet po mbështesin drejtësinë
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) mori pjesë sot në Simpoziumin Kombëtar “Nga Konfiskimi te Interesi Publik:......
Cilat qarqe kanë punësimin më të lartë? Durrësi kryeson në industri, ndërsa Tirana mbetet qendra e shërbimeve
Struktura e punësimit në Shqipëri gjatë vitit 2025 tregon një ndarje të qartë mes qarqeve sa i përket sektorëve kryesorë të ekonomisë. Të dhënat tregojnë se......
Rivitalizim i vijës bregdetare të Durrësit - FSHZH hap tenderin 833 mln lekë për krijimin e hapësirave rekreative
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për investim në përmirësimin funksional dhe estetik të vijës bregdetare të Durrësit, një projekt që synon......
Bonus-malus shpërblen shoferët, bie primi i sigurimit - AMF: Makinat pa aksidente gjatë vitit 2025 përfituan tarifa më të ulëta
Tregu i produkteve të sigurimit të makinave ka pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë pesë muajve të parë të këtij viti. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes......
Shtyhen me 10 ditë aplikimet për skemat në bujqësi - Salla: Interesi është rritur ditët e fundit. Bashkëpunim me Kosovën për në tregun e BE
Ndërsa sot ka qenë afati i fundi për aplikimet e fermerëve për të përfituar nga skemat kombëtare në bujqësi për vitin 2026, Ministri i Bujqësisë, Andi Salla......



