Shqipëria Postuar më 17 Nëntor 2025, 12:35

Balluku mbledh Emergjencat Civile: Pritet përkeqësim i motit, masa për menaxhimin e situatës

Nga SCAN TV

Balluku mbledh Emergjencat Civile: Pritet përkeqësim i motit, masa

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thirri në një takim koordinues strukturat e Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, nisur nga parashikimet e fundit të cilat njoftojnë se gjatë kësaj jave vendi ynë do të përfshihet nga një mot i paqëndrueshëm me reshje shiu me intensitet të lartë. Pjesë e takimit ishin Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla si dhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.

Balluku theksoi se në orët e para të ditës së nesërme parashikohet të nisin reshjet e shiut, fillimisht në zonën e veriut për tu zhvendosur më pas në zonën verilindore. Zëvendëskryeministrja, njoftoi se nga ana e Korporatës Elektroenergjetike janë marrë masa për të menaxhuar të gjithë sasinë e prurjeve që pritet të vijnë në baneset e hidrocentraleve.

“Duke nisur nga data 11 nëntor Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka filluar që të ulë nivelet në basenin e Komanit dhe basenin e Vaut të Dejës, për të krijuar volumen të lira për gjithçka që do të vijë nga prurjet anësore të përrenjve, që është edhe pjesa më e rrezikshme përsa i përket këtyre prurjeve”, sqaroi Balluku.

Ndërkohë përsa i përket zonës së Fierit dhe asaj të Vlorës, parashikohet që reshjet të jenë në një intensitet më të ulët, por në terren do të jenë të angazhuar ekipet për të menaxhuar çdo problematikë që mund të shfaqet edhe në këto zonë.

Zëvendëskryeministrja theksoi se situata është dinamike ndaj të gjitha strukturat do të jenë në gatishmëri të plot dhe në koordinim me njëra-tjetrën, në bashkëpunim edhe me bashkitë dhe prefekturat e vendit. Në terren do të jenë edhe strukturat e ARRSH dhe OSHEE për të ndërhyrë kudo ku do të raportohen problematika.

“Situata është dinamike për shkak edhe të fronteve të lëvizshme të korridoreve të erës në lartësi. Për këtë arsye duhet që të ketë një koordinim edhe nga të dhënat që vijnë nga Aviacioni Civil, edhe nga të dhënat që vijnë nga satelitët që përdor KESH-i për kontrolluar kaskadën sigurisht me të gjithë informacionet që u vjen nga EGJEUM, apo edhe nga vetë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile”, tha Balluku.

Ministrat Vengu, Salla si dhe kreu i Emergjencave Civile në fjalën e tyre bënë një pasqyrim të masave të marra për menaxhimin e situatës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat