Shqipëria Postuar më 1 Maj 2026, 12:11

Administrata publike, më tërheqëse në 2025 - Rritet numri, 20 aplikime për një pozicion pune

Nga Diamila Leka

Administrata publike, më tërheqëse në 2025 - Rritet numri,

Departamenti i Administratës Publike ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, ku evidentohet një rritje e interesit për punësimin në administratën publike, si edhe një përmirësim i qëndrueshmërisë dhe profesionalizmit të shërbimit civil.

Sipas raportit, numri mesatar i aplikantëve për çdo pozicion pune arriti në 20 gjatë vitit 2025, nga 17.55 që ishte në vitin 2024. Ndërsa për procedurën e pranimit në shërbimin civil, mesatarja e aplikantëve për pozicion u rrit në 23.4, krahasuar me 20.3 një vit më parë.

DAP vlerëson se ky rezultat lidhet me konsolidimin e procesit të rekrutimit, përmes masave për thjeshtimin e procedurave dhe rritjen e transparencës, duke përdorur portalin online të rekrutimit, publikimin e materialeve orientuese në faqen zyrtare si dhe pjesëmarrjen në panairet e punës.

Raporti tregon gjithashtu një rënie të ndjeshme të dorëheqjeve dhe lirimeve nga shërbimi civil. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 113 dorëheqje, ose 19.3% më pak krahasuar me vitin 2024, kur numri ishte 140. Ndërkohë, lirimet ranë me 32.8%, nga 396 në 266 raste.

Edhe në aspektin disiplinor është shënuar përmirësim. Krahasuar me vitin 2024, masat disiplinore të të gjitha llojeve janë ulur me 33.3%, ndërsa masat “Largim nga shërbimi civil” kanë rënë me 35.7%. Po ashtu, masat për “Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë” janë reduktuar me 20%.

Sipas DAP, këto tregues reflektojnë rritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të nëpunësve civilë, si dhe forcimin e atraktivitetit të administratës publike.

Një tjetër tregues pozitiv mbetet niveli i zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, ku indikatori për periudhën 2013–2025 ka arritur në 85.76%, duke reflektuar një nivel të lartë dhe të qëndrueshëm të respektimit të vendimeve gjyqësore.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat