Shqipëria Postuar më 1 Maj 2026, 10:49

OBP publikon katalogun e parë për materialet mjekësore - Standarde dhe çmime të unifikuara për spitalet

Nga SCAN TV

OBP publikon katalogun e parë për materialet mjekësore -

Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) sh.a. ka publikuar katalogun e parë për “Blerje materialesh mjekimi të përgjithshme dhe kirurgjikale për nevoja spitalore”, duke vendosur një bazë të unifikuar për specifikimet teknike dhe çmimet e këtyre produkteve në sistemin shëndetësor publik.

Katalogu përrfshin një gamë të gjerë materialesh mjekësore, të ndara sipas kategorive kryesore, me specifikime të standardizuara dhe çmime orientuese për çdo artikull, të cilat krijojnë lehtësi gjatë procedurave të prokurimit.

Në një fazë të parë është realizuar standardizimi i specifikimeve teknike, me synim garantimin e cilësisë së njëjtë në të gjitha institucionet shëndetësore. Më pas, OBP ka kryer një analizë të tregut për të përcaktuar çmime të unifikuara, duke krijuar një referencë të përbashkët për procedurat e prokurimit.

Ky model synon të reduktojë diferencat në çmime dhe të shmangë praktikat e fragmentuara të blerjeve, duke rritur transparencën dhe kontrollin mbi përdorimin e fondeve publike, ai edhe duke sjellë automatikisht më shumë ekonomizim të shpenzimeve.

Me publikimin e këtij katalogu, roli i spitaleve fokusohet kryesisht në përcaktimin e nevojave në sasi, ndërsa OBP mbulon standardet dhe referencat e çmimeve, si edhe mbështetjen në procedurat e prokurimit.

Pritet që ky mekanizëm të ndikojë në shkurtimin e kohës së procedurave, përmirësimin e krahasueshmërisë së ofertave dhe rritjen e konkurrencës në treg. Paralelisht, standardizimi dhe unifikimi i çmimeve pritet té ndikojë në kursim fondesh gjatë procedurave të prokurimit.

Ky është katalogu i parë i këtij lloji për sektorin shëndetësor dhe pritet të pasohet nga zhvillime të mëtejshme në standardizimin e prokurimit publik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat