Shqipëria Postuar më 18 Tetor 2025, 11:07

A mund të ketë nisur rimëkëmbja e euros? Monedha europiane shfaq shenja rritjeje, ndikim rënia e fluksit të turistëve

Nga Lidion Kulla

A mund të ketë nisur rimëkëmbja e euros? Monedha europiane

Euro ka shfaqur shenja rimëkëmbje ndaj lekut, gjatë javës që sapo u mbyll, por megjithatë vijon të qendrojë poshtë nivelit mesatar të 97 lekëve. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro e mbylli ditën e premte mesatarisht në 96.71 lekë. Megjithatë, kursi që ofrohet nga agjencitë e këmbimit valutor e ka mbyllur ditën e premte në nivele më të larta. Sipas Iliria98, euro e mbylli javën në blerje në 96.5 dhe në shitje në 97.3 lekë. Pra, niveli mesatar është në 96.9 lekë.

Në anën tjetër, dollari amerikan ka pasur luhatje të mëdha gjatë javës, në tregun e brendshëm valutor, për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare, duke e mbyllur ditën e premte në nivelin e 82.62 lekëve, sipas Bankës së Shqipërisë. Mbyllja e qeverisë amerikane dhe rikthimi i shqetësimeve për përshkallëzimin e luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, kanë ushtruar presion mbi dollarin.

Për shkak të rënies së fluksit të monedhës europiane, si pasojë e numrit më të ulët të turistëve gjatë tetorit, analistët mendojnë se euro mund të tentojë një rimëkëmbje mbi 97 lekë, por kjo do të varet edhe nga faktorë të tjerë, si Investimet e Huaja Direkte dhe remitancat.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, remitancat rezultuan në rreth 531 milionë euro, në gjysmën e parë të këtij viti, ndërsa Investimet e Huaja Direkte për të njëjtën periudhë ishin rreth 760 milionë euro. Raporti euro-lek në tregun e brendshëm përcaktohet kryesisht nga kërkesa dhe oferta dhe nuk ndikohet nga faktorët e jashtëm. Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, reflektohen më së shumti në raportin USD-lek.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat