Shqipëria Postuar më 6 Maj 2026, 13:43

A janë gati strukturat turistike për kontrollet tatimore? - Sinojmeri: Duhet të jenë në sinkron me ligjet e shtetit shqiptar

Nga Diamila Leka

A janë gati strukturat turistike për kontrollet tatimore? - Sinojmeri:

Strukturat turistike në vend po përballen me një fazë të re kontrollesh nga administrata tatimore. Drejtoria e Tatimeve ka prezantuar një plan sektorial për kontrolle të imtësishme në sektorin hotelier, duke shtuar presionin për zbatimin korrekt të ligjit.

Në këtë situatë, bizneset kanë nisur përgatitjet, por mbetet pyetja se sa gati janë realisht për t’i përballuar këto kontrolle pa u ndëshkuar?

“Ky vit e gjen më të konsoliduar turizmin në Shqipëri, falë kësaj experience 8-9 vjeçare, ku Shqipëria është e top listës turistike të Europës, dhe eksperienca e fituar tashmë me njësitë hoteliere, me shërbimet hoteliere që ofrojmë ne, dhe e gjithë kjo sipërmarrje që luan rol të madh në ekonominë e vendit, është një nga gjeneratorët kryesorë të ekonomisë shqiptare”, shprehet  Arben Sinojmeri Drejtor i Shoqatës së Shefave dhe Kuzhinierëve Shqiptarë.

Sipas Sinojmerit, përballja me kontrollet tatimore kërkon një riformatim të mënyrës së funksionimit të bizneseve turistike. Fokus tashmë nuk është vetëm te shërbimi, por edhe te respektimi rigoroz i kuadrit ligjor.

“Unë mendoj që të gjithë administratorët dhe sipërmarrja turistike shqiptare, të jetë në sinkron dhe të jetë mbështetëse e reformave dhe sinkronizimit midis ligjit dhe veprimit. Koha bën të vetën, gjerat evolojnë dhe bashkë me to evolojnë dhe drejtimi dhe administrimi i subjekteve tregtare turistike. Sepse jam i bindur që tashmë çdo ditë njerëzit nxjerrin mësim, dhe do ti përgjigjen me korrektësi detyrimeve ligjore. Shteti bën punën e vetë, dhe bizneset duhet të kuptojnë që nuk është më siç ka qenë më përpara. Në këtë aspekt, edhe në kuadër të shoqatave dhe organizatave që udhëheqin industrinë turistike, bëjnë punën e tyre të madhe dhe të mirë për ndërgjegjësimin.”

Me një sezon turistik që pritet të jetë intensiv, strukturat hoteliere ndodhen përballë një testi të rëndësishëm, jo vetëm për të ofruar shërbim cilësor, por edhe për të respektuar rregullat fiskale. Formalizimi dhe përputhja me ligjin duket se do të jenë çelësi për të shmangur penalitetet dhe për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat