Shqipëria Postuar më 5 Gusht 2025, 12:12

30 mln euro për trenin Durrës-Rrogozhinë - BERZH rikonfirmon mbështetjen për projektin e tretë të madh hekurudhor

Nga Ola Mitre

30 mln euro për trenin Durrës-Rrogozhinë - BERZH rikonfirmon

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rikonfirmuar mbështetjen financiare për rehabilitimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII hekurudhor. Përmes një njoftimi për shtyp BERZH bëri me dije se së bashku me Bashkimin Evropian, po mbështesin projektin e tyre të tretë të madh hekurudhor në Shqipëri. Kjo, pas linjave Tiranë – Durrës – Rinas dhe Vorë – Hani i Hotit. 

Sipas BERZH, linja e re e elektrizuar do të ulë emetimet, do të rrisë lidhjet rajonale dhe do të nxisë kalimin nga rruga, në hekurudhë. Për realizimin e projektit do të akordohet një kredi me vlerë 30 mnl euro, që është pjesë integrale e paketës së financimit prej 120.5 mln euro. Ndërkaq, pjesa tjetër prej 90 mln euro do financohet përmes një kredie nga Banka Evropiane të Investimeve dhe një granti të BE, të akorduar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Donald Mishaxhiut, Drejtues Rajonal i Infrastrukturës së BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, Rumaninë dhe Bullgarinë “ky investim pasqyron mbështetjen e vazhdueshme të kësaj banke për transformimin hekurudhor të Shqipërisë dhe së bashku me partnerët po ndihmojnë në ndërtimin e një rrjeti transporti modern, të qëndrueshëm dhe të lidhur që do t’u sjellë dobi brezave që do të vijnë”. 

Ndërkaq, pak javë me parë edhe qeveria shqiptare miratoi në parim marrëveshjen e kredisë me BERZH, teksa projekti synon rehabilitimin dhe modernizimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, një segment 34 km të gjatë, i cili do të elektrifikohet dhe do të përmirësohet në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Pas realizimit të këtij investimi, trenat do të mund të udhëtojnë me shpejtësi deri në 120 km/h.

Në njoftimin për shtyp thuhet se projekti është plotësisht në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe mbështet strategjitë kombëtare të Shqipërisë për transport të qëndrueshëm dhe zhvillim rajonal.

Ai gjithashtu pasqyron përparësitë e qasjes së BERZH-it për Tranzicionin e Ekonomisë së Gjelbër dhe pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme mjedisore duke zhvendosur trafikun e mallrave dhe pasagjerëve nga rrugor në hekurudhor, duke ulur emetimet e karbonit dhe duke mbështetur tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat