Kosova Postuar më 17 Dhjetor 2025, 09:52

“Ndaloni rritjen e çmimeve për festat e fundvitit” - Autoriteti i Konkurrencës u bën thirrje bizneseve në Kosovë

Nga Kristi Ceta

“Ndaloni rritjen e çmimeve për festat e fundvitit” -

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës u ka bërë thirrje bizneseve të ndalojnë çdo rritje të pajustifikuar të çmimeve gjatë festave të fundvitit. Ky institucion ka paralajmëruar pasoja nëse do të ketë shtrenjtim të çmimeve.

“Rikujtojmë se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut, kufizimin e konkurrencës apo abuzimin me pozitën e përbashkët dominuese, përbën shkelje të rëndë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftim.

AKK është shprehur se çmimet duhet të reflektojnë kushtet reale të tregut dhe jo marrëveshje të ndaluara, sjellje manipuluese apo shfrytëzim të pozitës së përbashkët në treg.

Po ashtu, institucioni ka njoftuar se që nga fillimi i muajit dhjetor, inspektorët janë në terren në çdo qytet të Kosovës për të monitoruar dhe për të siguruar respektimin e rregullave nga bizneset.

“Që nga fillimi i muajit dhjetor dhe deri në fund të këtij muaji, të gjithë inspektorët e Autoritetit të Konkurrencës do të jenë çdo ditë në terren në çdo qytet të Republikës së Kosovës, duke monitoruar me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet dhe rritjet e çmimeve në treg”, thuhet në njoftim.

Qytetarët janë ankuar se çmimet rriten çdo herë në prag të festave, duke i ngarkuar financiarisht gjatë periudhës festive.

 

Shqipëria 16 Dhjetor

Abissnet, pionieri i internetit në Shqipëri

Abissnet, kompania e parë e shërbimeve të internetit në Shqipëri, dëshmon mbi 27 vite histori dhe zhvillim që prej themelimit në vitin 1998. Me një rrugëtim......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat