Europa Postuar më 17 Dhjetor 2025, 09:51

Keni planifikuar udhëtime për festat e fundvitit? - Grevat në disa aeroporte evropiane mund t’ju ndryshojnë planet

Nga Kristi Ceta

Keni planifikuar udhëtime për festat e fundvitit? - Grevat në

Nëse po ktheheni në shtëpi për Krishtlindje apo jeni duke planifikuar pushime dimërore, grevat në aeroporte mund t’ju ndryshojnë mendjen. Grevat në transport janë bërë pjesë e zakonshme e sezonit festiv, pasi punonjësit synojnë periudhat më të ngarkuara të vitit për të kërkuar paga dhe kushte më të mira. Disa bojkote planifikohen muaj më parë, ndërsa të tjera njoftohen vetëm disa ditë ose orë para.

Në Itali, më 17 dhjetor, stafi i shërbimeve tokësore, ekuipazhi i linjave ajrore dhe kontrollorët e trafikut ajror do të marrin pjesë në një grevë të koordinuar. Greva katërorëshe përfshin stafin e ENAV në aeroportin e Romës, që menaxhon kontrollin e trafikut ajror; stafin e Assohandlers që mbulon shërbimet tokësore në aeroportet kryesore italiane dhe linjat ajrore Ryanair, Wizz Air dhe easyJet, si dhe punonjësit e ITA Airways, Vueling Airlines dhe Air France.

Protesta do të zgjasë nga ora 13:00 deri në 17:00, por mund të shkaktojë shqetësime gjatë gjithë ditës me vonesa fluturimesh dhe radhë më të gjata për “check-in” në aeroportet kryesore të Milanos, Romës, Venecias, Napolit dhe Katanias.

Në Mbretërinë e Bashkuar, nga datat 19 deri më 22 dhe 26 deri më 29 dhjetor, stafi i easyJet në aeroportin Luton të Londrës do të jetë në grevë, duke shkaktuar vonesa të mundshme në “check-in” dhe trajtimin e bagazheve. Aeroporti Heathrow i Londrës gjithashtu përgatitet për kaosin e udhëtimeve të Krishtlindjes: më 22 deri më 24 dhe më 26 dhjetor, ekuipazhi i Scandinavian Airlines Services (SAS) do të lërë vendet e punës. Fluturimet drejt qendrave kryesore të kompanisë si Kopenhagen, Stokholm dhe Oslo pritet të preken nga vendimi. Punonjësit protestojnë për pagat e ulëta, që sipas sindikatës Unite i kanë detyruar të mbështeten te bankat e ushqimit kur udhëtojnë drejt qendrave të shtrenjta skandinave.

Ndërsa në Spanjë, grevat e vazhdueshme të stafeve të bagazheve po shkaktojnë vonesa. Që në verë, stafi i partnerit të Ryanair në Spanjë, Azul Handling, ka zhvilluar greva javore për kushtet e punës, bonuset dhe stabilitetin e pozicioneve. Deri më 31 dhjetor, grevat do të vazhdojnë të merkurave, të premteve, të shtunave dhe të dielave në intervalet 5:00-9:00, 12:00-15:00 dhe 21:00 deri në mesnatë. Pasagjerët e Ryanair mund të përballen me radhë më të gjata dhe vonesa për “check-in” në shumë aeroporte spanjolle.

 

Shqipëria 16 Dhjetor

Abissnet, pionieri i internetit në Shqipëri

Abissnet, kompania e parë e shërbimeve të internetit në Shqipëri, dëshmon mbi 27 vite histori dhe zhvillim që prej themelimit në vitin 1998. Me një rrugëtim......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat