Europa Postuar më 14 Janar 2026, 10:10

Investitorë amerikanë diskutojnë për gazsjellësin - Ndërlidhja Jugore do të lidhë Bosnjen me terminalin kroat

Nga Dorian Koça

Investitorë amerikanë diskutojnë për gazsjellësin -

Drejtuesit e kompanisë amerikane “AAFS Infrastructure and Energy LLC” ishin së fundmi në Sarajevë, për të diskutuar me udhëheqësit vendas për rolin e kapitalit dhe burimeve amerikane në zhvillimin dhe menaxhimin e gazsjellësit Ndërlidhja Jugore.

Ndërlidhja Jugore është tubacion i gazit që do ta lidhë Bosnje e Hercegovinën me sistemin kroat të gazit dhe terminalin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) në ishullin kroat, Krk.

Bosnja nuk prodhon gaz, prandaj furnizohet me gaz rus që vjen nëpërmjet Rrjedhës Turke përmes Serbisë, nëpërmjet tubacionit të vetëm të gazit nga Zvorniku në Sarajevë, i cili u ndërtua 40 vjet më parë.

Deri më tani, gazsjellësit në Evropën Juglindore janë ndërtuar nga kompani evropiane ose lokale. Seksioni që kalon nëpër Bosnje do të jetë rreth 170 kilometra i gjatë dhe kostoja e ndërtimit e vlerësuar shkon mes 405 dhe 810 milionë eurove.

Projekti do të zbatohej sipas një modeli koncesioni, një investitor privat amerikan do të financonte, ndërtonte dhe operonte gazsjellësin për një periudhë të caktuar, pas së cilës ai do t’i kthehej Bosnjës. Për të filluar punën, është e nevojshme që Federata e Bosnjës t’i japë një koncesion investitorit. Gjithashtu, Bosnja dhe Kroacia duhet të nënshkruajnë një marrëveshje ndërkombëtare zbatimi.

Sipas planeve, dokumentacioni mund të përfundojë deri në vjeshtën e vitit 2026, pas së cilës mund të fillojë ndërtimi.

Por, si furnizohet Bosnja dhe Hercegovina me gaz?

Bullgaria ka njoftuar se mund të ndalojë transportin e gazit rus në vitin 2028. Në një skenar të tillë, Bosnja, pa një rrugë alternative, mund të mbetet pa gaz për industrinë, dhe familjet në Sarajevë pa ngrohje. Gjatë vitit 2024, Bosnja importoi rreth 225 milionë metra kub gaz. Republika Srpska konsumon rreth 30 milionë metra kub, dhe Federata e Bosnjës pjesën tjetër.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat