Europa Postuar më 26 Gusht 2025, 10:49

BE synon marrëveshje me partnerët e Mesdheut - Pakti parashikon heqjen e barrierave tregtare, përshtatjen me tregun evropian

Nga Kristi Ceta

BE synon marrëveshje me partnerët e Mesdheut - Pakti parashikon heqjen

Bashkimi Evropian kërkon të arrijë një marrëveshje strategjike me disa shtete në rajonin e Mesdheut. Pakti synon të heqë barrierat tregtare dhe të harmonizojë rregullat me tregun evropian, duke reduktuar varësinë nga Kina e Rusia.

Disa vende të Bashkimit Evropian po kërkojnë një marrëveshje strategjike të ardhshme me rajonin e Mesdheut, duke hequr barrierat tregtare me disa shtete të përzgjedhura të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme Objektivi është përafrimi i rregullave të tyre me tregun e përbashkët të BE-së”, sipas një dokumenti të Komisionit Evropian. Diversifikimi i shkëmbimeve tregtare larg Rusisë dhe Kinës është kthyer në prioritet që kur filloi mandati i dytë i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Pakti për Mesdheun, që pritet të prezantohet nga Komisioni në mes të tetorit, synon të kombinojë marrëveshjet ekzistuese me pakte të reja dypalëshe mes BE-së dhe disa vendeve mesdhetare, si Algjeria, Egjipti, Izraeli, Libia, Maroku, Palestina, Tunizia dhe Siria. Përmes kësaj nisme, blloku synon të forcojë lidhjet në rajonin e Mesdheut, veçanërisht mes pasigurive tregtare me aleatët tradicionalë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shumë vende anëtare propozojnë modernizimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe eliminimin e barrierave tregtare, me thirrje për t’u përafruar me rregullat e Tregut të Vetëm dhe për të mbështetur konvergjencën në sektorë si energjia, mjedisi dhe standardet e punës,” thuhet në dokument.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Brukseli përpiqet të zgjerojë marrëdhëniet me vendet e Mesdheut. Në vitin 1995, me anë të “Deklaratës së Barcelonës”, partnerët ranë dakord të krijojnë një Zonë të Lirë Tregtare Euro-Mesdhetare (EMFTA), që nuk është realizuar kurrë. BE tashmë ka një marrëveshje tregtare preferenciale me vendet e Mesdheut, e njohur si Konventa Pan-Euro-Mesdhetare, që harmonizon rregullat e origjinës. Kjo Konventë përfshin vendet e BE-së, anëtarët e EFTA-s, Ballkanin Perëndimor, partnerët mesdhetarë, Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë.

Por dokumenti i Paktit për Mesdheun tregon se vendet anëtare të BE-së synojnë të shkojnë edhe më tej në forcimin e lidhjeve tregtare me rajonin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat