Bota Postuar më 17 Qershor 2025, 12:34

Trump, i gatshëm të zgjasë afatin për blerjen e TikTok - Lideri amerikan mbështet marrëveshjen, pavarësisht tensioneve me Kinën

Nga Kristi Ceta

Trump, i gatshëm të zgjasë afatin për blerjen e TikTok -

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do t’i japë më shumë kohë kompanisë kineze ByteDance për të shitur asetet e TikTok në SHBA, nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 19 qershor. Aplikacioni përdoret nga 170 milionë amerikanë.

Trump tha se kishte një “dobësi” për aplikacionin, pasi ai e ndihmoi të fitonte votuesit e rinj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka pezulluar deri tani dy herë zbatimin e ndalimit të TikTok, që fillimisht duhej të hynte në fuqi në janar.

Një marrëveshje ishte në proces e sipër, që mendohej se do të ndante operacionet amerikane të TikTok në një firmë të re me seli në Shtetet e Bashkuara dhe me shumicë në pronësi të investitorëve amerikanë, por ajo u pezullua pasi Kina tregoi se nuk do ta miratonte pas njoftimeve të Trump për tarifa të larta mbi mallrat kineze.

Senatorët demokratë argumentojnë se lideri amerikan nuk ka autoritet ligjor për të zgjatur afatin dhe sugjerojnë se marrëveshja që ishte në shqyrtim nuk do të përmbushte kërkesat ligjore.

Një burim pranë investitorëve amerikanë të ByteDance tha muajin e kaluar se përpjekjet për marrëveshjen e ardhshme vazhdojnë, por Shtëpia e Bardhë dhe Pekini do të duhet të zgjidhin së pari mosmarrëveshjen për tarifat.

Trump tha se Kina ishte e gatshme të arrinte një marrëveshje, duke përmendur ndikimin që tarifat prej 145% mbi mallrat kineze kishin në ekonominë e saj.

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, tha më 12 qershor se negociatorët amerikanë dhe kinezë, që u takuan në Londër atë javë, nuk diskutuan për TikTok, pavarësisht se afati i 19 qershorit po afrohej.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat