Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2025, 11:45

Policia, plan masash për sezonin turistik - Deri më 15 shtator kufizohen mjetet e rënda në fundjavë dhe ditët e pushimit zyrtar

Nga Ernilda Luzi

Policia, plan masash për sezonin turistik - Deri më 15 shtator

Për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë sezonit veror 2025, Policia e Shtetit ka hartuar dhe është duke zbatuar një plan të detajuar masash. Ky plan synon sigurinë në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore, lehtësimin e qarkullimit në pikat e kalimit kufitar, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe veprimtarive kriminale, zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës dhe mbrojtjen e mjedisit dhe zonave turistike.

Këtë vit shërbimi 12-orësh do të aplikohet vetëm në zonat bregdetare dhe Në ndihmë të policive vendore do të dërgohen shërbime shtesë, që do të kompensohen sipas legjislacionit përkatës.

Në funksion të planit janë vënë në dispozicion ndër të tjera punonjës policie me biçikleta që patrullojnë në plazhe, njësia Policore Detare për kontrollin dhe ndëshkimin e lundrimeve të rrezikshme brenda zonave të ndaluara, si dhe dronë që do të përdoren për kontrollin e perimetrit të sigurisë në plazhe, si dhe për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve rrugore.

Njëkohësisht, janë shtuar patrullat në zonat turistike për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për garantimin e lëvizjes së lirë të automjeteve. Nga 16 qershori deri më 15 shtator 2025, do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda për transport mallrash në fundjavë dhe në ditët e pushimit zyrtar.

Gjithashtu, do të ushtrohen kontrolle për zbatimin e orarit të muzikës dhe ndëshkimin e shkelësve të nivelit të zhurmës. Tashmë, punonjësit e Policisë janë pajisur me aparate të matjes së zhurmave.

Ndërkohë, krahas planit të masave, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e grupeve të monitorimit të shërbimeve në terren, për zbatimin rigoroz të Kodit të Etikës, nga çdo punonjës policie, në komunikim dhe në veprim.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat