Bota Postuar më 18 Nëntor 2025, 09:51

“Tarifë 500% për vendet që bëjnë tregti me Rusinë” - Trump paralajmëron masa të reja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Nga Kristi Ceta

“Tarifë 500% për vendet që bëjnë tregti me

Një projektligj i propozuar në Senatin Amerikan mund të vendosë një tarifë prej 500% ndaj vendeve që vazhdojnë të tregtojnë me Moskën, duke përfshirë blerës të mëdhenj si India dhe Kina. Ky propozim vjen ndërsa Uashingtoni kërkon sanksione të reja për të izoluar ekonominë e Rusisë.

Presidenti Donald Trump tha se republikanët po hartojnë kornizën ligjore për masa të tjera dhe shtoi: “Jam dakord me këtë projektligj. Çdo vend që bën tregti me Rusinë do të sanksionohet shumë ashpër. Gjithashtu, mund të shtojmë Iranin në këtë formulë”.

Në përpjekje për të goditur të ardhurat ruse të energjisë, legjislacioni i quajtur Akti i Sanksionimit të Rusisë 2025 do të sillte tarifa deri në 500% mbi importet nga vendet që blejnë uranium ose produkte nafte nga Moska dhe që nuk mbështesin aktivisht Ukrainën. Një tarifë e ngjashme mund të zbatohej edhe për mallra ose shërbime që vijnë drejtpërdrejt nga Rusia.

“Mjetet përfundimtare për t’i dhënë fund kësaj lufte do të jenë tarifat ndaj vendeve si Kina, India dhe Brazili, që mbajnë në këmbë makinën e luftës së Putin, duke blerë naftë dhe gaz rus me çmime të lira,” shprehen senatorët amerikanë.

Projektligji do të hyjë në fuqi nëse Presidenti i SHBA-së përcakton se Rusia po refuzon të negociojë një marrëveshje paqeje me Ukrainën, po shkel një marrëveshje ekzistuese ose po ndërmerr veprime të tjera agresive ndaj Kievit.

Deri tani, Trump ka hezituar ta mbështesë legjislacionin, pasi Uashingtoni po përpiqej të organizonte bisedime paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë, duke përfshirë takimin e Alaskës dhe shqyrtimin e një samiti të mundshëm në Budapest. Megjithatë, negociatat kanë mbetur të bllokuara.

Gati katër vjet pas fillimit të konfliktit, Kremlini nuk tregon shenja të tërheqjes, edhe pas një vale të re sanksionesh nga SHBA dhe BE në tetor të këtij viti.

 

30 Nëntor

...

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat