Bota Postuar më 30 Korrik 2026, 09:58

22 mld USD për rikonstruksionin e aeroportit të Uashingtonit/ Projekti, ndër më të mëdhenjtë. Do të financohet përmes obligacioneve bashkiake

Nga Lidion Kulla

22 mld USD për rikonstruksionin e aeroportit të Uashingtonit/

Presidenti amerikan, Donald Trump, prezantoi planin prej 22 miliardë dollarë për të rindërtuar aeroportin “Washington Dulles”, ku do të zëvendësohen korridoret dhe do të shtohet një garazh i madh parkimi, ndërkohë që do të ruhet terminalin kryesor historik. Njoftimi është i fundit, mes një sërë projektesh të mëdha që Trump ka njoftuar për kryeqytetin dhe në zonat përreth. “Konsiderohet si një nga aeroportet më të këqija në botë, ne do ta bëjmë ndoshta më të mirin me pak punë”, tha Trump, duke argumentuar se ishte koha “për një rinovim dhe rindërtim rrënjësor”.

Trump, i shoqëruar nga CEO i United Airlines, Scott Kirby, dhe nga Sekretari i Transportit, Sean Duffy, ka bërë presion për një rikonstruksion të gjerë të aeroportit, i cili shërben si porta kryesore ndërkombëtare ajrore, për rajonin e kryeqytetit amerikan. Plani parashikon ndërtimin ose rinovimin e rreth 5 milionë metrave katrorë hapësirë aeroportuale. Në maj, Duffy konfirmoi se qeveria federale planifikonte një investim prej 22 miliardë dollarësh për rikonstruksionin e aeroportit të Uashingtonit.

Një nga projektet më të mëdha të rikonstruksionit të një aeroporti në SHBA, do të financohet përmes obligacioneve bashkiake, por ngre pikëpyetje se çfarë ndikimi do të ketë në çmimet e biletave të avionit. Autoriteti i aeroportit kishte miratuar më herët një plan të veçantë investimesh kapitale prej 7 miliardë dollarësh.

Pavarësisht kritikave, Dulles ishte aeroporti i madh amerikan me rritjen më të shpejtë vitin e kaluar për nga trafiku i pasagjerëve. Aeroporti pati një vit rekord në 2025-ën, duke trajtuar 29 milionë pasagjerë gjithsej, një rritje prej 6.4%. Këtë vjeshtë, ai do të ketë një holl të ri prej rreth 40 mijë metra katrorë, me 14 porta që u shërben klientëve të United Airlines. Dulles është rreth 40 km larg kryeqytetit amerikan dhe u hap për herë të parë në vitin 1962. Trump tha se United Airlines do ta financojë pjesërisht projektin, por kompania ajrore nuk iu përgjigj menjëherë pyetjes mbi financimin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat