Amerika Postuar më 8 Tetor 2025, 09:33

IA mund të “zhdukë” 100 mln vende pune në SHBA - Raporti i Senatit nënvizon rrezikun e teknologjisë inovatore

Nga Kristi Ceta

IA mund të “zhdukë” 100 mln vende pune në SHBA -

Një raport i Senatit të Shteteve të Bashkuara tregon se inteligjenca artificiale dhe automatizimi mund të zëvendësojnë gati 100 milionë vende pune në industri të ndryshme gjatë dekadës së ardhshme.

Raporti, i hartuar nga stafi demokrat i Komisionit për Shëndetësinë, Arsimin, Punën dhe Pensionet (HELP), paraqet mënyrat se si teknologjia dhe automatizimi do të ndikojnë në ekonominë amerikane dhe fuqinë punëtore.

Komisioni ka paralajmëruar për pasojat e mundshme që mund të sjellë përdorimi i përhapur i teknologjisë së avancuar për punëtorët. Gjatë hetimit, stafi përdori edhe chatbot-in e OpenAI, ChatGPT, për të parashikuar ndikimin e inteligjencës artificiale dhe automatizimit në disa industri specifike.

Nga 20 sektorë që u identifikuan si më të prekurit nga zhvillimet teknologjike, në 15 prej tyre parashikohet që më shumë se gjysma e punonjësve do të zëvendësohen nga teknologjia në dekadën e ardhshme.

Fuqia punëtore më e prekur do të jenë punonjësit e ushqimit të shpejtë (fast food) dhe sporteleve. Sipas raportit, më shumë se 3 milionë punonjës në këtë fushë priten të eliminohen gjatë dhjetë viteve të ardhshme, që përbën 89% të totalit.

Sektorë të tjerë që do të preken ndjeshëm përfshijnë përfaqësuesit e shërbimit ndaj klientit, punëtorët fizikë që merren me transportin e mallrave, si dhe sekretarët dhe asistentët ekzekutivë, duke përjashtuar pozicionet ligjore, mjekësore dhe ekzekutive. Raporti thekson se, përkatësisht, 83%, 81% dhe 80% e punonjësve në këto fusha pritet të zëvendësohen nga teknologjia gjatë dekadës që vjen.

Raporti gjithashtu bën thirrje për ndryshime në politikat publike për të mbrojtur punonjësit gjatë tranzicionit teknologjik. Ndër propozimet, përfshihen vendosja e një jave pune standarde prej 32 orësh, vendosja e një page minimale prej të paktën 17 dollarësh në orë, si dhe eliminimi i lehtësimeve tatimore për korporatat që përdorin inteligjencën artificiale dhe automatizimin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat