Shqipëria Postuar më 27 Maj 2024, 13:54

“Drafti i rivlerësimit do frenojë shitjet e apartamenteve” - Amnistia 3%, Beti: Qytetarët do të presin miratimin e nismës, të përshpejtohet procesi

Nga SCAN TV
“Drafti i rivlerësimit do frenojë shitjet e apartamenteve”

Drafti i paraqitur në Kuvend për rivlerësimin e banesave me 3 për qind do të frenojë shitjen e apartamenteve, sepse qytetarët do të priren të presin zyrtarizimin e nismës. Orgest Beti, konsulent pronash kërkon përshpejtimin e miratimit të nismës, në mënyrë që të mos bllokohen transaksionet, gjatë kohës që projektligji diskutohet në komisionet parlamentare.

Nga studio e emisionit “Box to Box” teksa e konsideron me rëndësi këtë amnisti, e cila është e 5-ta në harkun e më pak se 15 viteve, Beti vë në dukje se norma tatimore prej 15 për qind që aplikohet për kalim pronësie, është tejet e lartë dhe duhet të rishikohet.

Ulja e detyrimit tatimor, nga 15 për qind në 3 për qind siç edhe parashikohet në draftin e depozituar në Kuvend nga deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti, iu jep mundësi qytetarëve që të përditësojnë vlerën e banesës së tyre.

Në momentin e shitjes, vlera tatimore reduktohet disa herë më pak.  Në mënyrë hipotetike, nëse një familje që ka një banesë 100 metra katrorë në Tiranë me vlerë fillestare 8 200 000 lekë, nëse rivlerësohet, vlera e këtij objekti do të përcaktohet mbi bazën e çmimeve që janë sot në treg, dhe për Tiranën, çmimi për metër katror është rreth 110 mijë lekë/m2. Në këto kushte, vlera e shtëpisë sot është 11 000 000 lekë. Tatimi llogaritet nga diferenca mes dy vlerave.

Pra (11 000 000 – 8 200 000) X 3% = 84 000 lekë është tatimi që do të paguhet për përditësimin e vlerës së banesës. Aktualisht, qytetarët janë të detyruar të paguajnë 15 për qind të diferencës. Pra (11 000 000-8 200 000) X 15%= 420 000 lekë, pra gati 5-fish më tepër.

Nga kjo skemë përfitojnë edhe familjet që ende nuk e kanë marrë tapinë për banesën dhe tokën ku kanë ndërtuar pa leje. Këto familje do të kenë mundësi po ashtu që të jenë pjesë e skemës së rivlerësimit, duke u taksuar me vetëm 3 për qind dhe jo 15 sa është detyrimi tatimor.

Ada Hazizolli/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat