Shqipëria Postuar më 22 September 2026, 17:35

Detajet e rezervës së naftës/ Shqipëria krijon asetin strategjik për rastet e krizave

Nga SCAN TV

images (1).jfif

Shqipëria do të ndryshojë mënyrën se si garanton furnizimin me karburante në rast krizash, duke krijuar gradualisht një rezervë strategjike të naftës dhe nënprodukteve të saj, e cila do të menaxhohet përmes një autoriteti të posaçëm. Në Kuvend është depoituar nisma ligjore që parashikon një model të ri që synon që vendi të ketë në dispozicion karburant edhe në rast të ndërprerjeve të papritura të importeve apo problemeve serioze në tregjet ndërkombëtare.

Projektligji i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përcakton që rezerva minimale duhet të jetë e barabartë me të paktën 90 ditë të importeve mesatare ditore neto ose 61 ditë të konsumit mesatar ditor të brendshëm, duke u marrë për bazë sasia që rezulton më e madhe. Rezerva nuk do të krijohet menjëherë, por gradualisht, sipas një plani veprimi që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Ndryshimi kryesor lidhet me mënyrën e administrimit. Aktualisht, detyrimi për mbajtjen e rezervave bie mbi rafineritë dhe kompanitë e tregtimit me shumicë, të cilat prej vitit 2011 kanë detyrimin që të mbajnë rezerva të barabarta me 90 ditë mesatare shitjeje. Me skemën e re parashikohet ngritja e Autoritetit për Rezervën e Sigurisë, i cili do të blejë, shesë dhe administrojë stokun strategjik. Rezervat mund të ruhen në kapacitetet e Autoritetit ose në depo të operatorëve privatë të kontraktuar prej tij.

Krijimi i stokut do të ketë një kosto të konsiderueshme. Modeli financiar i përfshirë në relacion parashikon për periudhën 2026–2030 blerjen e rreth 43,600 tonëve karburante, me një kosto të vlerësuar prej rreth 39.4 milionë eurosh për blerjen dhe 2.6 milionë euro për depozitimin, ose rreth 42 milionë euro gjithsej.

Stoku i parashikuar në këtë model përbëhet nga 17,440 ton naftë bruto, 13,080 ton diesel, 8,720 ton benzinë, 2,180 ton karburant avionësh dhe 2,180 ton LPG. Kjo do të thotë se rezerva strategjike nuk do të përbëhet vetëm nga nafta bruto, por edhe nga produktet që mund të përdoren drejtpërdrejt nga tregu në rast nevoje.

Rezervat do të ruhen nën një regjim të posaçëm sigurie. Ato duhet të jenë në çdo moment fizikisht të disponueshme dhe të aksesueshme dhe nuk mund të përdoren si kolateral, të vendosen nën hipotekë apo peng, apo të jenë objekt i kufizimeve që do të pengonin përdorimin e menjëhershëm të tyre.

Për kontrollin e stokut do të krijohet edhe Regjistri Kombëtar i Rezervave të Sigurisë, ku do të regjistrohen vendndodhja e kapaciteteve të depozitimit, kapacitetet dhe sasitë e ruajtura. Të dhënat do të administrohen nga Autoriteti në bashkëpunim me INSTAT-in dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Në rast të një ndërprerjeje të rëndë të furnizimit, rezervat do të mund të nxirren në treg për të garantuar furnizimin e ekonomisë. Vendimi për përdorimin e tyre do të merret nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me mekanizmin kombëtar të reagimit ndaj krizave.

Ndryshimi lidhet edhe me procesin e integrimit europian. Shqipëria synon të përafrojë sistemin me direktivën europiane për rezervat minimale të naftës. Sipas relacionit, krijimi i sistemit të ri synon të sjellë modelin shqiptar në linjë me kërkesat e Bashkimit Europian dhe Komunitetit të Energjisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat