Bota Postuar më 22 Shkurt 2023, 12:06

Danimarka, Suedia dhe Gjermania: Po vazhdojnë hetimet për shpërthimin e Nord Stream!

Nga SCAN TV
Danimarka, Suedia dhe Gjermania: Po vazhdojnë hetimet për

Hetimet nga Danimarka, Gjermania dhe Suedia për shpërthimet në tubacionet e gazit Nord Stream nuk kanë përfunduar ende, thanë të tre vendet ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh për të diskutuar incidentin e shtatorit.

Rusia, e cila bëri thirrje për takimin, dëshiron që këshilli prej 15 anëtarësh të kërkojë një hetim të pavarur për shpërthimet në tubacionet që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë, të cilat hodhën gaz në Detin Baltik dhe përkeqësuan mungesën e energjisë europiane.

Danimarka, Gjermania dhe Suedia i thanë Këshillit të Sigurimit në një letër të përbashkët se "autoritetet ruse janë informuar në lidhje me hetimet në vazhdim" nga autoritetet e tyre kombëtare, të cilat deri më tani kishin vërtetuar se dëmtimi i tubacioneve ishte shkaktuar nga "shpërthime të fuqishme për shkak të sabotim”.

“Këto hetime ende nuk kanë përfunduar. Për momentin nuk mund të thuhet se kur do të përfundojnë”, thuhet në letër. Autoritetet e Danimarkës, Gjermanisë dhe Suedisë kanë qenë në dialog për hetimin e rrjedhjeve të gazit dhe dialogu do të vazhdojë në masën përkatëse.

Ata thanë se pasojat nga rrjedhjet në lidhje me emetimet e gazeve serrë ishin "të konsiderueshme dhe shqetësuese".

Rusia ka kërkuar nga ekonomisti amerikan Jeffrey Sachs, i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Universitetin e Kolumbias, që të informojë Këshillin e Sigurimit në takimin e së martës. Moska ka pohuar, pa dhënë prova, se Perëndimi qëndron pas shpërthimeve që prekën tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 - projekte infrastrukturore shumë miliarda dollarëshe që transportonin gazin rus në Gjermani.

Në fillim të këtij muaji, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë një postim në blog nga një gazetar hetues amerikan që pretendonte se Shtetet e Bashkuara qëndronin pas shpërthimeve si "trillim krejtësisht i rremë".

Zëvendës ambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, ka thënë se qëllimi ishte që propozimi për një hetim të pavarur të vihej në votim në Këshillin e Sigurimit deri në fund të javës. Një rezolutë e këshillit ka nevojë për të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Kina ose Rusia për t'u miratuar.

Agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, i tha Këshillit të Sigurimit se Pekini mbështet thirrjen e Moskës për hetim.

Një votim mund të përkojë me mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit për të shënuar përvjetorin e parë të pushtimit të Ukrainës nga Moska. Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh ka të ngjarë të votojë të enjten për t'i kërkuar përsëri Moskës të tërheqë trupat e saj dhe të bëjë thirrje për ndalimin e armiqësive.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat