Bota Postuar më 28 Qershor 2022, 12:29

Çmimet e naftës rriten sërish - Prodhuesit kryesorë deklarojnë se nuk mund të hedhin në treg më shumë fuçi

Nga SCAN TV

Çmimet e naftës u rritën të martën pasi prodhuesit kryesorë Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk mundën të shtonin ndjeshëm prodhimin, ndërsa trazirat politike në Libi dhe Ekuador shtuan shqetësimet për furnizimin.

Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor u rritën me 1,8 dollarë, në 111,36 dollarë për fuçi, ndërsa Brent i Londrës u rrit me 1.9 dollarë, në 116.99 dollarë për fuçi.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite janë dy vendet e vetme në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) me kapacitet të lirë në dispozicion për të kompensuar furnizimin e humbur rus dhe prodhimin e pakët nga vendet e tjera anëtare.

Ministri i Energjisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, deklaroi se po prodhonin thuajse kapacitetin maksimal bazuar në kuotën e saj prej 3.168 milionë fuçi në ditë sipas marrëveshjes me OPEC dhe aleatët e tij.

Analistët paralajmëruan gjithashtu se trazirat politike në Ekuador dhe Libi mund të shtrëngojnë më tej furnizimin. Korporata Kombëtare e Naftës e Libisë tha se mund të duhet të deklarojë gjendjen e jashtzakonshme në zonën e Gjirit të Sirte brenda tre ditëve të ardhshme nëse prodhimi dhe transporti nuk rifillojnë në terminalet e naftës atje.

Ndërkohë, Ministria e Energjisë e Ekuadorit tha se vendi mund të pezullojë plotësisht prodhimin e naftës brenda dy ditëve të ardhshme mes protestave antiqeveritare. Ish-vendi i OPEC hidhte në treg rreth 520,000 fuçi në ditë përpara protestave.

Këta faktorë nënvizojnë mungesat në treg, që janë rikthyer këtë javë, duke kundërshtuar shqetësimet e recesionit që rënduan mbi çmimet gjatë dy javëve të mëparshme.

Udhëheqësit e G7 po diskutojnë një kufi të mundshëm të çmimit të naftës ruse që do të godiste makinerinë e luftës së presidentit Vladimir Putin, duke ulur gjithashtu çmimet e energjisë. Një zyrtar francez u bëri thirrje gjithashtu fuqive globale që të eksplorojnë të gjitha opsionet për të lehtësuar mungesën ruse në furnizimet me energji që ka rritur çmimet, duke përfshirë bisedimet me vendet prodhuese si Irani dhe Venezuela.

SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=mxcgn99VESw

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat