Shqipëria Postuar më 14 Maj 2023, 15:51

Cilat janë qarqet më ‘të begata’ - Fieri kryeson për drithërat, Korça për bletët

Nga SCAN TV
Cilat janë qarqet më ‘të begata’ - Fieri kryeson

Bujqësia është ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare pasi kontribuon në nivelin 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shqipëria  megjithëse në shtrirje jo të madhe gjeografike karakterizohet nga një larmishmëri klimash në rajonet e saj, duke bërë që kushtet e pafavorshme të motit në një rajon për kultivimin e kulturave të ndryshme, shpesh kompensohet nga kushtet optimale në një rajon tjetër. Gjithashtu, nga viti në vit, vërehet një rritje e konsiderueshme e prodhimit bujqësor në serra, duke bërë që nevojat e tregut të brendshëm dhe të jashtëm, (kryesisht perime), të mbulohen në të gjithë vitin pavarësisht kushteve klimaterike.  Referuar të dhënave të INSTAT nëse do të analizonim gjeografinë e prodhimeve bujqësore sipas kategorive, rezulton se për bimët e arave, sipërfaqja e mbjellë arrin në rreth 420 mijë ha.  Qarqet me përqindjen më të lartë të sipërfaqes së mbjellë, janë Fieri me 20,8%, pasuar nga Elbasani me 11,6% dhe Korça me 11,1%. Qarqet me përqindjen më të ulët të sipërfaqes së mbjellë të bimëve të arave janë Gjirokastra me 4,6% dhe Kukësi me 2,8%.

Sa i takon drithërave,  kultivohet kryesisht  gruri, misri, elbi, thekra dhe tagjitë dhe prodhimi i tyre arrin në rreth në 691 mijë tonë. Drithërat përdoren kryesisht për konsum njerëzor dhe ushqim për kafshët, por ato mund të përdoren gjithashtu, për prodhimin e pijeve dhe produkteve industriale. Qarqet me nivelin më të lartë të prodhimit të drithërave janë qarku i Fierit, pasuar nga qarku i Elbasanit dhe qarku i Korçës. Qarqet me nivelin më të ulët të prodhimit të drithërave janë Gjirokastra me 17,0 mijë tonë dhe dhe Kukësi me 14,6 mijë tonë.

Kultivimi i perimeve zë gjithashtu një pjesë të rëndësishme në bujqësinë shqiptare. Prodhimi i perimeve arrin në  1.3 milionë tonë. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve regjistrohet në qarqet Fier (541,8 mijë tonë), Berat (131,8 mijë tonë), dhe Tiranë (130,0 mijë tonë), ndërsa qarqet Kukës (14,2 mijë tonë) dhe Gjirokastër (16,8 mijë tonë) kanë nivelin më të ulët të prodhimit të perimeve gjithsej.

Grupet kryesore të drufrutorëve të kultivuara në vendin tonë janë pemët frutore, ulliri, agrumet dhe rrushi.  Sipërfaqja gjithsej e drufrutorëve është 87.6 mije ha. Pjesën më të madhe të sipërfaqes së drufrutorëve për e zë ulliri , pemët frutore, zënë vreshtat dhe agrumet.

Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore rezulton në qarkun Korçë me (89,7 mijë tonë), pasuar nga qarku Elbasan (39,1 mijë tonë) dhe qarku Fier (33,8 mijë tonë). Qarqet me prodhimin më të ulët janë Lezha (8,4 mijë tonë)  dhe Gjirokastra (3,7 mijë tonë).

Blegtoria gjithashtu është një sektor shumë i rëndësishëm për ekonominë për që së fundmi ka hasur në vështirësi të shumta.

Referuar strukturës së blegtorisë në njësi gjedhi, numri më i madh i krerëve të blegtorisë përfaqësohet nga gjedhët , ndjekur nga të imtat, shpendët, njëthundrakët dhe derrat. Qarku më përfaqësues lidhur me mbarështimin e gjedhit është Fieri me 17,2% ndaj numrit gjithsej të krerëve të gjedhit, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël të gjedhit, me 3,4% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Qarku më numrin më të madh të mbarështimit të të leshtave është Vlora me 23,7% ndaj numrit të përgjithshëm të krerëve, ndërsa Lezha është qarku më pak përfaqësues me 1,8%. Qarku ku është më i përqendruar mbarështimi i të dhirtave është Vlora me 20,9% ndaj numrit të përgjithshëm të krerëve të të dhirtave, ndërsa Kukësi është qarku i cili ka numrin më të vogël të të dhirtave me 2,7%. Përqendrimi më i madh i mbarështimit të derrave është në qarkun e Lezhës me 35,7% . Kukësi është qarku më pak përfaqësues për numrin e derrave me 0,5% ndaj numrit gjithsej të krerëve. Qarqet më përfaqësuese për shpendët janë Fieri me 20,9% ndërsa Kukësi është rajoni që ka numrin më të vogël të shpendëve me 1,3% ndaj numrit gjithsej të krerëve. Veprimtaria e fermerëve në shumë zona të vendit po zgjerohet edhe në drejtim të mbarështimit të bletëve. Korça zë vendin e parë me 15,2% ndaj numrit të përgjithshëm të koshereve, ndërsa Durrësi përfaqëson numrin më të vogël me 3,3%.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat