Europa Postuar më 19 Korrik 2022, 10:00

BE nënshkruan marrëveshjen me Azerbajxhanin për të dyfishuar eksportet e gazit deri në vitin 2027!

Nga SCAN TV
BE nënshkruan marrëveshjen me Azerbajxhanin për të dyfishuar

Komisioni Europian nënshkroi një marrëveshje me Azerbajxhanin të hënën për të dyfishuar importet e gazit natyror deri në vitin 2027. Njoftimi erdhi pasi presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen vizitoi Bakun të hënën në mëngjes për bisedime mbi rritjen e furnizimeve me energji në BE.

Marrëveshja, e cila synon të sjellë importet e gazit natyror azerbajxhanas në të paktën 20 miliardë metra kub në vit në 15 vjet, do të ndihmojë BE-në të reduktojë varësinë e saj nga energjia ruse.

"Sot, me këtë Memorandum të ri Mirëkuptimi, ne po hapim një kapitull të ri në bashkëpunimin tonë energjetik me Azerbajxhanin, një partner kyç në përpjekjet tona për t'u larguar nga karburantet fosile ruse," tha von der Leyen.

Njoftimi i së hënës është pjesë e një shtytjeje më të gjerë nga BE për të gjetur furnizues alternativë të energjisë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Shqetësimet në Bruksel për një mbyllje të plotë të gazit rus u rritën javën e kaluar pasi gazsjellësi Nord Stream 1 filloi mirëmbajtjen e planifikuar, duke i ndalur furnizimet.

Puna në tubacionin nga Rusia në Gjermani do të vazhdojë deri në fund të kësaj jave, por Ministria e Jashtme ruse ka thënë se e ardhmja e gazsjellësit është e lidhur me sanksionet kundër Moskës. “Mes armatizimit të vazhdueshëm të Rusisë të furnizimeve të saj me energji, diversifikimi i importeve tona të energjisë është një prioritet kryesor për BE-në”, tha Komisioni Europian në një deklaratë të premten përpara udhëtimit.

Moska ka mohuar se po përdor gazin si armë kundër BE-së, megjithatë furnizimet ruse kanë rënë me më shumë se 60 % në javët e fundit. Mbyllja e Nord Stream 1, e cila është një lidhje thelbësore e furnizimit për gazin rus në Gjermani dhe më gjerë, ka shtuar shqetësimet se Moska mund t'i japë fund furnizimit të saj me gaz në bllok.

Sipas një dokumenti të parë nga Reuters, marrëveshja midis Baku dhe BE do të rrisë rrjedhën e gazit në bllok përmes tubacionit të Korridorit Jugor të Gazit.

"Palët aspirojnë të mbështesin tregtinë dypalëshe të gazit natyror, duke përfshirë eksportet në Bashkimin Europian, nëpërmjet Korridorit Jugor të Gazit, të paktën 20 miliardë metra kub gaz në vit deri në vitin 2027, në përputhje me qëndrueshmërinë tregtare dhe kërkesën e tregut", thuhet në dokument.

Vitin e kaluar, tubacioni transportoi 8 miliardë metra kub gaz në BE. Rritja do të kërkonte që Azerbajxhani të rrisë prodhimin vendas të gazit. Azerbajxhani tashmë po rrit dërgesat e gazit natyror në BE nga 8.1 miliardë metra kub (bcm) në 2021 në 12 miliardë metra kub në 2022, tha Komisioni.

Vendi, i cili kufizohet me Gjeorgjinë, Turqinë, Armeninë, Rusinë, Iranin dhe Detin Kaspik, filloi eksportin e gazit natyror në Europë përmes Gazsjellësit Trans Adriatik në fund të vitit 2020. Në atë kohë, Azerbajxhani tha se planifikonte të dërgonte 10 miliardë metra kub gaz në Europë çdo vit, kryesisht në Itali, por edhe në Greqi dhe Bullgari.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat