Bota Postuar më 3 Maj 2022, 13:44

BE, “hedh sytë” nga gazi i Afrikës - SHBA, paketë ndihmash prej 33 miliardë dollarë për Ukrainën!

Nga SCAN TV

Bashkimi Europian po “hedh sytë” drejt Afrikës për të reduktuar varësinë ndaj gazit rus, dhe njëkohësisht do të japë udhëzime të detajuara në ditët në vijim se si kompanitë duhet të adresojnë kërkesën e presidentit rus, Vladimir Putin për të paguar gazin në rubla. Sipas një njoftimi, unioni po ndërmerr hapa konkretë për të bashkëpunuar me vendet afrikane, në mënyrë që të zëvendësohet gaz rus.

Objektivi është që rreth 2/3 e sasisë së gazit që importohet nga Rusia të zëvendësohet brenda këtij viti me importe nga vendet afrikane. Disa vende, veçanërisht në pjesën perëndimore të kontinentit, si Nigeria, Senegali dhe Angola, ofrojnë një potencial shumë të madh të pashfrytëzuar të gazit të lëngshëm natyror, sipas një draft-dokumenti të Bashkimit Europian.

Paralelisht, vijojnë edhe përpjekjet diplomatike për të arritur paqen. Papa Françesku po kërkon me ngulm një takim në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, por deri më tani nuk ka marrë ende një përgjigje. “Ne po këmbëngulim, por kam frikë se Putin nuk dëshiron ta mbajë këtë takim, të paktën për momentin”, deklaroi Papa Françesku, në një intervistë për gazetën Corriere della Sera. Gjithashtu, Papa njoftoi se zhvilloi një bisedë online rreth 40 minuta me Patriarkun Kirill të Kishës Ortodokse Ruse dhe 20 minutat e para Kirill i shpenzoi duke lexuar në letër të gjitha justifikimet e luftës.

Britania e Madhe, ndërkohë, ka njoftuar 300 milionë paund në ndihma ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë këtu edhe automjete të specializuara për mbrojtjen e civilëve. Gjithashtu, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ofrojnë një tjetër paketë ndihmash ushtarake për Ukrainën. Spikerja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i bëri thirrje Kongresit të veprojë me shpejtësi për të votuar një paketë gjigante prej 33 miliardë dollarë për Ukrainën.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat