Analiza Postuar më 17 Prill 2025, 12:31

Trump “bashkon” Evropën - Si mund të përfitojë BE nga politikat e SHBA-së?

Nga Kristi Ceta

 

Një raport i ri strategjik parashikon se politikat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump janë pikërisht mjekimi që i duhet Bashkimit Evropian për t'u bërë një treg i vetëm e për të nxitur rritjen.

Edhe pse Evropa nuk mund ta shmangë një recesion, mbështetja fiskale e koordinuar, lehtësimi i mundshëm i politikës monetare nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe një nxitje e ripërtërirë e integrimit "do ta zbusin goditjen dhe do të nxisin rritjen afatgjatë". Kështu shprehet një raport nga kompania e kërkimit të investimeve BCA.

"Ironikisht, Trump po bën më shumë për të çuar përpara unitetin evropian sesa kushdo që nga Schumann, Monnet dhe Adenauer," vuri në dukje një nga autorët. Pavarësisht pauzës së përkohshme 90-ditore të tarifave prej 20% që godasin eksportet e mallrave të BE-së në SHBA, BCA tha se një recesion është pa dyshim një mundësi reale.

Sipas raportit, ekonomia e eurozonës është e pllakosur nga pasiguria, dobësimi i besimit të biznesit dhe përkeqësimi i shpenzimeve kapitale. Këto sfida vijnë në një kohë kur rajoni tashmë po përballet me vështirësi, me PBB-në që është rritur me 0.1% në tre muajt e fundit të vitit 2024. Tarifat dhe pasiguria pritet ta shtyjnë ekonominë e brishtë në tkurrje për të paktën dy tremujorë radhazi rreth mesit të vitit 2025.

Komisioni Evropian vlerësoi se tarifat mund të zhdukin 0.2% të PBB-së së eurozonës deri në vitin 2027. Në një skenar më të rëndë, nëse tarifat janë të përhershme ose nëse ka kundërmasa të qëndrueshme, shifra arrin në 0.5%-0.6% në tre vjet.

Çfarë ofrojnë SHBA dhe BE në negociata?

Diskutimet midis BE-së dhe SHBA-së do të hyjnë në fuqi të plotë në tremujorin e tretë të vitit 2025, pasi Trump synon të mbyllë fillimisht bisedimet me Kanadanë dhe Meksikën. Negociatat nuk do të jenë të lehta, sepse shumica e temave në tryezë lidhen me barrierat jotarifore. Shumë prej tyre lidhen me rregullat e brendshme të BE-së, duke përfshirë rregulloren e bllokut mbi privatësinë e informacionit dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore.

Ajo që potencialisht po ndihmon pozicionin negociues të BE-së është se SHBA po eksporton shumë më tepër shërbime në BE sesa anasjelltas. Tregtia totale dypalëshe në këtë sektor ishte me vlerë 746 miliardë euro në vitin 2023, sipas Komisionit Evropian.

Një masë që mund t’i japë dorë Unionin për të arritur një marrëveshje është blerja e më shumë energjie nga Shtetet e Bashkuara. Trump kërkon të rrisë prodhimin e energjisë, ndërsa Evropa është në kërkim të importeve të gazit natyror të lëngshëm me çmime të përballueshme, ndërsa po ndërton një strukturë gjigante të rigazifikimit të LNG-së në bregdetin verior.

Nxitja e ekonomisë evropiane të prapambetur

Ndryshimi i fundit i Uashingtonit mbi tarifat ka sjellë pasiguri tregtare dhe, si rezultat, ekonomia e BE-së po përjeton rënie të ndjenjës së biznesit, ulje të fitimeve të korporatave dhe pakësim të shpenzimeve kapitale dhe normave të investimeve evropiane. Të gjitha këto janë shenja të recesionit që afrohet. Një hap i rëndësishëm afatshkurtër është mbështetja fiskale nga vende si Gjermania, ku paketa stimuluese e qeverisë premton një rritje shtesë prej 1% në vit gjatë 2 viteve të ardhshme.

Një tjetër veprim për të nxitur ekonominë e eurozonës mund të jetë ulja e normës së depozitave nën 2% nga Banka Qendrore Evropiane. Për më tepër, raporti tha se BQE mund të rifillojë programin e lehtësimit sasior, një mjet që i lejon asaj të blejë obligacione nga bankat tregtare, duke pompuar likuiditet shtesë në ekonominë evropiane e duke rritur investimet. Masat e mëtejshme të politikave të BE-së priten të përfshijnë diversifikimin e tregtisë larg SHBA-së, duke përmirësuar marrëdhëniet me Indinë, Kanadanë, Amerikën Latine dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ekonomia e Bashkimit Evropian është ende shumë e fragmentuar dhe ndryshimet rregullatore shpesh veprojnë si barriera jotarifore mes shteteve anëtare, një pengesë afatgjatë për konkurrueshmërinë dhe prosperitetin e Evropës. Eleminimi i tyre mund t'i japë një shtysë ekonomisë së bllokut. Sipas FMN-së, barrierat jotarifore brenda BE-së janë ekuivalente me një tarifë prej 44% për mallrat dhe një tarifë prej 110% për shërbimet.

"Është sikur të kishte një tarifë prej 44% midis Gjermanisë dhe Italisë, për shembull," shpjegojnë analistët, duke shtuar se "kjo po fillon të ketë një ndikim negativ në rritje dhe shpjegon hendekun në produktivitet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara". Shërbimet po vuajnë më shumë, megjithëse ky sektor siguron 65% të prodhimit ekonomik të BE-së. "Ka shumë më pak tregti shërbimesh midis vendeve evropiane sesa midis shteteve amerikane,” thekson raporti.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat