Shqipëria Postuar më 17 Prill 2025, 11:24

6 mln euro dëm ekonomik nga mashtrimet kompjuterike - SPAK: Call center-at nxisin individët të investojnë në platforma të rreme online

Nga Ledina Elezi

6 mln euro dëm ekonomik nga mashtrimet kompjuterike - SPAK: Call center-at

Mbi 6 milionë euro rezulton të jetë dëmi ekonomik nga mashtrimet kompjuterike në 2024. Sipas Raportit Vjetor të SPAK, gjatë vitit që lamë pas është rritur numri i mashtrimeve kompjuterike që kryhen nga grupe të strukturuara kriminale, të cilat i shkaktojnë një dëm të konsiderueshëm ekonomik viktimave.

Por si funksionojnë skemat e mashtrimit kompjuterik?

Fillimisht ngrihen disa kompani që kanë për synim pikërisht mashtrimin e qytetarëve. Këto kompani krijojnë disa platforma të rreme investimi online, siç janë “Absolut Global Markets”, “Aurum Pro” dhe “Finaxis”.

Ata përdorin call center-at në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Ukrainë dhe Gjeorgji, punonjësit e të cilëve telefonojnë individë të ndryshëm për t'i nxitur që të investojnë në këto platforma. Investimi është i rremë dhe rezulton në vjedhjen e shumave të mëdha të parave ndaj personave që bien pre e një skeme të tillë.

Megjithëse numri i procedimeve penale është ulur me 19% në krahasim me 2023, numri i procedimeve të dërguara për gjykim ka arritur gjithsej në 7 gjatë vitit të kaluar. Të dhënat nga raporti i SPAK tregojnë se mashtrimet kompjuterike në Shqipëri janë më të shpeshta në zonën e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës.

Nga hetimet e SPAK rezulton se Shqipëria është kthyer në një pikë të rëndësishme për rrjete kriminale që shfrytëzojnë hapësirat ligjore, teknologjinë dhe krahun e lirë të punës, për të kryer mashtrime kompjuterike masive. Grupet kriminale janë të lidhura ngushtë me tregun e zi kibernetik, duke operuar jo vetëm me mashtrime financiare, por edhe me trafikimin e të dhënave personale.

Mashtrimi kompjuterik i referohet futjes, ndryshimit, fshirjes ose heqjes së të dhënave kompjuterike apo ndërhyrjes në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim për t’i siguruar vetes apo të tretëve, me mashtrim, një përfitim ekonomik të padrejtë, apo për t’i shkaktuar një të treti pakësimin e pasurisë. Një vepër e tillë penale dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 6 vjet. Kur ajo kryhet në bashkëpunim, në dëm të disa personave, më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat