Shqipëria Postuar më 17 Prill 2025, 10:56

Risia, nënstacion elektrik nëntokësor në Tiranë - Investimi, BERZH miraton kredinë sovrane 22.5 mln euro për OSHEE-në  

Nga Ola Mitre

Risia, nënstacion elektrik nëntokësor në Tiranë -

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka miratuar kredinë sovrane 22.5 mln euro për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Huaja do të përdoret për qëllime investimi e më konkretisht për të financuar ndërtimin e nënstacionit nëntokësor 110/20 kV në qendër të Tiranës, i pari i këtij lloji në vendin tonë.

Sipas BERZH, fillimisht u vlerësua se kostot për ndërtimin e nënstacionit ishin 14.5 mln euro. Megjithatë, dizajni përfundimtar teknik, i zhvilluar nga një konsulent i jashtëm i specializuar, zbuloi një rritje prej rreth 8 milionë euro. “Kjo rritje i atribuohet kryesisht presioneve inflacioniste mbi çmimet e lëndëve të para, përmirësimit të specifikimeve të projektit dhe përfshirjes së kërkesave teknike përfundimtare”, - bën me dije BERZH.

Për këtë projekt, në shtator të vitit që shkoi BERZH hapi tenderin me 2 faza, duke ftuar operatorët ekonomikë të shprehnin interesin e tyre. Faza e parë u mbyll në muajin dhjetor, ndërkohë që kompanitë e kualifikuara do të ftohen të marrin pjesë në fazën e dytë, deri në nënshkrimin e kontratës. Hapja e këtij tenderi erdhi pas atij të zhvilluar më herët nga BERZH për ofrimin e asitencës teknike në lidhje me përgatitjen e dizajnit të detajuar, dokumentet dhe kërkesat e tenderit, mbështetjen e prokurimit, mbikëqyrjen e zbatimit të projektit, etj., çka solli pikërisht edhe përcaktimin e kostove finale për ndërtimin e këtij nënstacioni. Sipsas kësaj kontrate parashikohej që punimet të përfundonin në mars të vitit 2026.

Nënstacioni elektrik 110/20kV do të pozicionohet pranë sheshit Skënderbej, në Tiranë, ndërsa projekti parashikon përdorimin e teknologjisë me gaz për pajisjet që do të kryejnë kontrollin, mbrojtjen dhe izolimin e sistemeve të energjisë në këtë nënstacion.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat