Europa Postuar më 17 Prill 2025, 11:28

Rikthehet tarifa turistike në Venecia - Vizitorët ditorë, 5 euro për të hyrë në “qytetin lundrues”

Nga Kristi Ceta

Rikthehet tarifa turistike në Venecia - Vizitorët ditorë, 5 euro

Tarifa e hyrjes në Venecia do të rifillojë nga data 18 prill, me risinë kryesore të këtij viti që udhëtarët ditorë të minutës së fundit do të paguajnë dyfish. Vitin e kaluar, si pjesë e një eksperimenti që synonte të dekurajonte vizitorët ditorë gjatë periudhave të ngarkuara, Venecia u bë qyteti i parë i madh turistik në botë që u ngarkoi taksë hyrjeje njerëzve.

Edhe pse iniciativa pati pak ndikim në numrin e vizitorëve, ajo mblodhi 2.4 milionë euro për arkën e qytetit, shumë më tepër sesa pritej. Autoritetet e Venecias ende besojnë se kjo masë do të ndihmojë qytetin e trashëgimisë botërore të UNESCO-s për të përballuar mbiturizmin.

Tarifa e këtij viti, që mund të rezervohet “online”, mbetet 5 euro, por do të dyfishohet nëse blihet brenda tre ditëve para mbërritjes në qytet. Për më tepër, është zgjeruar për t'u zbatuar në 54 data, kryesisht gjatë fundjavave, midis 18 prillit dhe 27 korrikut, pothuajse dyfishi i numrit të ditëve krahasuar me vitin e kaluar. Masa zbatohet midis orës 8:30 të mëngjesit dhe 16:00 sipas kohës lokale. Vizitorëve u jepet një kod QR të cilin do t'ua paraqesin personave të punësuar për të patrulluar pikat kryesore të hyrjes së qytetit.

Kushdo që rezervon një qëndrim njëditor në Venecia është i përjashtuar nga pagesa e tarifës, ashtu si edhe turistët nga rajoni më i gjerë i Venetos, nga vijnë shumica e vizitorëve ditorë, si dhe fëmijët nën moshën 14 vjeç. Por edhe nëse një vizitor ka rezervuar një dhomë hoteli, ai është ende i detyruar të regjistrohet në faqen e internetit.

Viti i kaluar vendosi një rekord të ri për vizitorët në Venecia dhe zonën pranë saj, me më shumë se 3.9 milionë që qëndrojnë një natë në qendrën historike të qytetit. Megjithëse 30 milionë njerëz e vizitojnë vendin çdo vit, shumica udhëtojnë brenda ditës. Më shumë se 35,000 vizitorë ditorë kanë rezervuar tashmë një biletë.

Ekspertët e qytetit lundrues thonë se skema e tarifës së aksesit "përfaqëson një mjet të prekshëm dhe inovativ" për sa i përket analizës së të dhënave dhe menaxhimit të fluksit të vizitorëve. “Që tani e tutje qyteti do të jetë në gjendje të mbështetet në të dhëna objektive dhe jo thjesht në vlerësime për të kuptuar fenomenin e mbiturizmit. Qëllimi ynë është të inkurajojmë turizmin cilësor, qëndrimet me një natë, që respektojnë qytetin dhe karakterin e tij unik,” shprehehn ata.

Gjithashtu, një tjetër qëllim i kësaj mase ishte “gjetja e një ekuilibri më të mirë midis të drejtave të atyre që jetojnë në Venecia dhe atyre që dëshirojnë ta vizitojnë atë”.

Ndërsa tarifa u pranua nga turistët vitin e kaluar, ajo u kundërshtua ashpër nga banorët e Venecias. Shumë prej tyre besojnë se e vetmja mënyrë reale për të arritur një turizëm më të qëndrueshëm do të ishte të synoheshin njerëzit që qëndrojnë një natë, duke kufizuar qiratë e pushimeve afatshkurtra dhe duke përmirësuar shërbimet për popullsinë gjatë gjithë vitit, e cila në vitin 2022 ra nën 50,000 për herë të parë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat