Analiza Postuar më 17 Prill 2025, 12:08

Kina, furnizuesi kryesor i vendit edhe në Mars/ Eksportet paraqiten me rritje. Energjia dhe tekstilet, motorët kryesorë

Nga Xhorxhina Deda

Kina, furnizuesi kryesor i vendit edhe në Mars/ Eksportet paraqiten me

Tregtia e jashtme e Shqipërisë për Marsin 2025 sjell disa sinjale pozitive për ekonominë vendase, me një rritje të ndjeshme të eksporteve dhe një ulje të importeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se eksportet u rritën me 4.9%, ndërsa importet ranë me 1.4%, çka çoi në një ngushtim të deficitit tregtar me 6.5% krahasuar me Marsin 2024. Deficiti tregtar për marsin arriti 39 miliardë lekë, ndërsa për tremujorin janar-mars, u regjistrua në 102 miliardë lekë.

Në muajin mars, eksportet arritën vlerën e 34.9 miliardë lekëve, me një ndikim të fortë nga grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike, që kontribuoi pozitivisht me 8.8 pikë përqindje në rritje. Tekstilet dhe këpucët gjithashtu dhanë një shtysë me 1.2 pp, ndërsa ushqimet dhe pijet kontribuuan me 0.6 pp.

Nga ana tjetër, grupet që frenuan eksportet ishin materialet e ndërtimit dhe metalet me një ndikim negativ prej 5.8 pikë përqindje, si dhe produktet kimike dhe plastike me 0.4 pikë përqindje.

Nga ana tjetër, importet në mars arritën 73.8 miliardë lekë, duke shënuar rënie vjetore për grupet më të mëdha si makineritë dhe pajisjet, materialet e ndërtimit dhe kimikatet. Ndërkohë, është rritur importi i energjisë dhe lëndëve djegëse.

Në një periudhë tremujore, eksportet e mallrave arritën vlerën 100 mld lekë, duke u rritur me 4.7%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 202 mld lekë, duke u ulur me 3.5%, krahasuar me një vit më parë.

Në aspektin gjeografik, Turqia (-19.7%), Gjermania (-12.2%) dhe Italia (-2.8%) shënuan ulje të ndjeshme të importeve drejt Shqipërisë. E kundërta ndodhi me Kinën, e cila rriti eksportet drejt Shqipërisë me 25.3%.

Ndër vendet partnere, Kosova rezulton një nga tregjet më të rëndësishme në rritje, me një rritje marramendëse prej 83.1% të eksporteve nga Shqipëria në mars, krahasuar me një vit më parë. Në tremujorin e parë, eksportet drejt Kosovës janë rritur me 79%. Po ashtu, rritje ka edhe në eksportet drejt Greqisë (13.2%) dhe Gjermanisë (11.3%).

Në krahun tjetër, Italia mbetet partneri kryesor tregtar, por me një rënie të eksporteve prej 10.2%, duke reflektuar një ripozicionim të qartë në marrëdhëniet tregtare rajonale.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat