Shqipëria Postuar më 30 Prill 2024, 12:31

64.5% e mallrave transportohen përmes detit - Porti i Durrësit shënon volumin më të madh të produkteve

Nga SCAN TV
64.5% e mallrave transportohen përmes detit - Porti i Durrësit

Mallrat e hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit detar zënë përqindjen më të madhe të mallrave të transportuara gjithsej në Shqipëri, krahasuar me transportin hekurudhor dhe atë ajror. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë që volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet detit është 1.673 mijë ton, përmes hekurudhës janë transportuar 127 mijë ton mallra dhe 499,5 ton janë transportuar në rrugë ajrore.

Në tre muajt e parë të këtij viti eksportet arritën vlerën 95 mld lekë, duke u ulur me 22,3 %, ndërkohë që importet kapën shifrën 209 mld lekë, duke u rritur me 0,4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mallrat e eksportuara me det zënë 40% të të gjithë volumit të mallrave të eksportuara në tremujorin e parë 2024 dhe ato të eksportuara me hekurudhë vetëm 0,1 %. Volumi i mallrave të importuara nëpërmjet rrugëve detare në këtë tremujor zë 64,5 % ndaj totalit të mallrave të importuara ndërsa ato përmes transportit ajor vetëm 0,02%.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023, volumi i mallrave të transportuara në rrugë ajrore ka shënuar një rritje prej 11,1%. Në transportin ajror, mallrat e transportuara me postë kanë regjistruar ulje vlerësuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sa i takon detit, portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Limjonit në Sarandë janë të vetmit që bëjnë transportin e mallrave. Porti i Durrësit është porti më i madh në vend prej të cilit janë transportuar 96% e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 1.606 mijë ton mallra, duke shënuar një rritje me 3,4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa sasia e mallrave të transportuara nga portet e tjera mbetet shumë e vogël.

Në lidhje me llojet kryesore të grup-mallrave të transportuara nëpërmjet rrugëve detare, metalet bazë, makineritë, pajisjet dhe produkte metalike të fabrikuara zënë peshën më të madhe me 17,1% në total. Koksi dhe produktet e rafinuara të naftës përbëjnë 14,7 % të mallrave të transportuara, ndërsa grupi i mallrave produkte të tjera minerale (jo metalike) përbëjnë vetëm 10,5%. Nga të dhënat rezulton se mallrat janë transportuar nëpërmjet 304 anijeve gjithsej, 178 prej tyre kanë qenë të huaja dhe 126 anije vendase.

Nga ana tjetër, volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet rrugëve hekurudhore ka shënuar ulje me 15,0 % në krahasim me tremujorin e parë 2023. Qymyri dhe linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror, përfshijnë 98,5 % të mallrave të transportuar me hekurudhë.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat