Bota Postuar më 30 Prill 2024, 14:35

G7 arrin marrëveshje për “daljen” nga qymyri - Pas vitit 2035 nuk do të prodhohet energji nga lëndët fosile

Nga SCAN TV
G7 arrin marrëveshje për “daljen” nga qymyri - Pas vitit

Ministrat e Energjisë të shtatë ekonomive më të industrializuara të botës arritën një marrëveshje për mbylljen e termocentraleve të tyre me qymyr në gjysmën e parë të viteve 2030, në një hap të rëndësishëm drejt tranzicionit nga karburantet fosile.

Ministri italian i energjisë Gilberto Pichetto Fratin, i cili kryeson takimin ministror të G7 në Torino, tha se ministrat po mendonin për kufizime të mundshme për importet ruse të gazit natyror të lëngshëm në Evropë, të cilat Komisioni Evropian do të propozojë në afat të shkurtër.

Marrëveshja për qymyrin shënon një hap të rëndësishëm në strategjinë e nisur vitin e kaluar nga samiti i klimës COP28 i Kombeve të Bashkuara për të hequr gradualisht lëndët djegëse fosile, nga të cilat qymyri është më ndotësi.

Italia vitin e kaluar prodhoi 4.7% të totalit të energjisë elektrike nëpërmjet një numri të vogël termocentralesh me qymyr. Roma aktualisht planifikon t’i mbyllë deri në vitin 2025, me përjashtim të një TEC-i në ishullin e Sardenjës ku afati përfundimtar është viti 2028.

Në Gjermani dhe Japoni qymyri ka një rol më të madh, ku pjesa e energjisë elektrike të prodhuar është më e lartë se 25% e totalit. Vitin e kaluar nën presidencën japoneze, G7 u zotua të prioritizojë hapat konkretë drejt heqjes së prodhimit të energjisë nga qymyri, duke mos treguar një afat specifik.

Energjia bërthamore dhe biokarburantet janë dy çështje të tjera në krye të axhendës së Italisë në takimin e G7 dhe Pichetto tha se të dyja do të përmenden në komunikatën përfundimtare midis opsioneve që vendet e G7 mund të zgjedhin për të dekarbonizuar prodhimin dhe transportin e energjisë.

Dorian Koça/SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 30 Prill

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan blihet sot me 93.8 lekë dhe shitet me 94.6 lekë sipas kursit të këmbimit lokal në raport me dje. Monedha europiane blihet sot me 100.4 lekë......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat