Shqipëria Postuar më 30 Prill 2024, 09:02

Rritja befasuese e transportit ajror, në tre muaj 1.9 milionë pasagjerë - Vetëm gjatë muajit mars, Shqipërinë e kanë vizituar 565 mijë turistë

Nga SCAN TV
Rritja befasuese e transportit ajror, në tre muaj 1.9 milionë

Statistikat e transportit detar dhe ajror të publikuara së fundmi nga INSTAT konfirmojnë rritjen e pamenduar të hyrjeve të turistëve në vend. Në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 1.5 milionë hyrje të vizitorëve të huaj, duke u rritur me 43% nga 1 milionë që ishin gjatë vitit të shkuar.

Nëse krahasojmë llojin e transportit të përdorur nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj për të udhëtuar, vërehet se transporti ajror është preferuar më tepër se transporti detar. Në një hark kohor prej 3 vitesh, vlerësohet se përdorimi i transportit ajror është rritur dukshëm që prej vitit 2022, sidomos për daljet nga Shqipëria.

Shifrat me të fundit nga INSTAT tregojnë që numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore në tremujorin e parë 2024 është 1.9 milionë duke u rritur me 63,8 %, nga 1.1 milionë pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa në vitin 2022 ky tregues ishte më i ulët, me rreth 760 mijë pasagjerë të regjistruar.

Ndërkohë numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare në vend është mbi 135 mijë persona. Porti i Durrësit është porti kryesor në vend nga i cili kanë udhëtuar 80,9% e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Vlorës me 11,6 % dhe më pas porti i Sarandës me 7,5%.

Në muajin mars, Shqipërinë e vizituan 565 mijë turistë, një rritje kjo prej 47.1% llogaritur me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Gjatë këtij viti parashikohet të vijnë rreth 14 milionë shtetas të huaj, ndaj kjo rrjedhimisht do të përkthehet edhe në një rritje të përdorimit të formave të ndryshme të transportit.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat