Europa Postuar më 7 Qershor 2024, 14:39

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian - Si organizohen, kush mund të votojë, çfarë parashikojnë sondazhet?

Nga SCAN TV
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian - Si organizohen, kush mund të

Nga data 6 deri më 9 qershor, rreth 373 milionë shtetas të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë ftuar të votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Parlamenti Evropian ka si funksion primar negocimin e ligjeve të BE-së me anëtarë të qeverive anëtare. Në dallim nga parlamentet e vendeve anëtare, Parlamenti Evropian nuk ka të drejtë të propozojë ligje, por mund të negociojë ligjet e propozuara prej Komisionit Evropian.

Parlamenti Evropian, po ashtu, miraton buxhetin e BE-së dhe voton për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për zgjerimin e bllokut evropian.

Parlamenti Evropian përbëhet nga 720 eurodeputetë dhe zgjedhjet për të mbahen çdo pesë vjet. Në 21 vende anëtare mund të votojnë shtetasit mbi moshën 18-vjeçare. Në Belgjikë, Gjermani, Austri dhe Maltë, mosha minimale është 16-vjeçare. Shtetasit e Greqisë, që kanë mbushur 17 vjet në vitin zgjedhor, do të mund të votojnë po ashtu, ndërsa në Hungari, individët e martuar mund të votojnë pavarësisht moshës. Votuesit mund të zgjedhin kandidatë individualë apo kandidatë të partive politike, varësisht prej shtetit. Disa vende anëtare, përfshirë Gjermaninë, përcaktojnë që për zgjedhjet e Parlamentit Evropian mund të nominohen vetëm pjesëtarë të partive politike apo figura të lidhura me politikën.

Gjashtë prej 10 shtetasve të BE-së kanë shprehur interesim për të votuar në këto zgjedhje. Sondazhet parashikojnë që prej 720 vende në Parlamentin Evropian, grupi i Partisë Popullore Evropiane – që i përket qendrës së djathtë – pritet të fitojë 180 vende, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve – që i takon qendrës së majtë – pritet të fitojë 138 vende, ndërsa Rinovoni Evropën, parti liberale e qendrës, pritet të fitojë 86 vende. Konservatorët dhe Reformistët Evropianë pritet të fitojnë 75 vende, ndërsa Identiteti dhe Demokracia pritet të fitojë 68 vende. Partitë tjera më të vogla pritet të fitojnë së bashku 173 vende.

Dorina Kurtaj/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat