Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2024, 11:11

Yield-i i bonove 12-mujore “prek fundin” - Norma mesatare zbret në 3.28%, favorizuese për qeverinë

Nga SCAN TV
Yield-i i bonove 12-mujore “prek fundin” - Norma mesatare zbret

Ankandet e bonove të thesarit janë një mekanizëm që përdoret nga Banka e Shqipërisë për të menaxhuar likuiditetin dhe për të financuar nevojat e përkohshme të qeverisë. Këto bono janë instrumente afatshkurtra të borxhit publik, zakonisht me maturitet nga tre muaj deri në një vit. Duke emetuar bono, qeveria mund të marrë hua nga tregu financiar, ndërsa investitorët kanë mundësinë të investojnë fonde të tepërta në një instrument të sigurt dhe likuid.

Pas publikimeve të rezultateve të ankandit të zhvilluar gjatë kësaj jave nga Banka e Shqipërisë, vihet re një rënie e mëtejshme e yield-it të bonove të thesarit 12-mujor, i cili zbriti në 3.28%, nga 3.32% që ishte në ankandin e mëparshëm. Kjo normë mesatare konstatohet të jetë më e ulëta që nga muaji tetor i vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, yield-et e bonove 6-mujore dhe 3-mujore janë nën nivelin e normës bazë të interesit.

Nga ana tjetër, në këtë ankand, kërkesat totale arritën në 8.67 miliardë lekë, përkundër shumës së shpallur prej 7.5 miliardë lekësh nga Ministria e Financave. Pjesa e pranuar e ofertave konkurruese (prorata) ishte 54.08%, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e bonove, rreth 2.5 miliardë lekë, u rezervuan për Bankën e Shqipërisë. Kjo e fundit i blen bonot me yield-in mesatar të ponderuar, duke ndikuar në diferencën mes kërkesës dhe ofertës për pjesën e mbetur.

Rënia e yield-it mesatar të bonove 12-mujore mund të shpjegohet edhe nga rënia e ndjeshme e pritshmërive për inflacionin, niveli i të cilit sipas INSTAT është 2.2%. Në të kundërt, rënia e yield-eve po ul paralelisht edhe kostot e kredisë në lekë për sektorin privat, gjë që përkthehet në një nivel më të lartë të kreditimit.

Armela Duka/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat