Shqipëria Postuar më 18 Tetor 2022, 12:10

“Vjelja” nga ndërtimet e reja prek kulmin - Cilat janë bashkitë që dyfishuan të ardhurat nga taksa e infrastrukturës?

Nga SCAN TV
“Vjelja” nga ndërtimet e reja prek kulmin - Cilat janë

Vërshimi i ndërtimeve të reja është furnizuesi më i mirë i buxheteve vendore në vend dhe gjysma e parë e këtij viti konsiderohet si një kulm në këtë drejtim.  Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja në 6-mujorin e parë të 2022 përfaqësuan rreth 57% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore dhe rreth 34% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta vendore.

E thënë ndryshe, bashkitë mblodhën afro 6.4 miliardë lekë  apo 54.3 milionë euro, në rritje me rreth 48% apo rreth 2.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përjashtuar të ardhurat për TNI nga bashkia Tiranë, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 1.4 miliardë lekë nga kjo taksë, në rritje me rreth 50% në terma vjetorë. Në analizën e bërë nga CO Plan, sipas bashkive rezulton se të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë rritur në 35/ 61 bashki.

Bashkia Tiranë arkëtoi rreth 5 miliardë lekë (në rritje me rreth 47% në terma vjetorë). Në bashkinë Durrës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja rezultojnë të jetë zgjeruar me nga 59.8 milionë në rreth 151 milionë lekë në gjashtëmuajt e parë të vitit 2022. Në bashkinë Vlorë të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë shënuan rritje nga 105 milionë lekë në rreth 244 milionë lekë në gjysmën e parë të vitit 2022, çka përbën rreth 4% ndaj të ardhurave totale të gjeneruara nga kjo taksë.

Në të kundërt, në pjesën tjetër të bashkive të ardhurat nga kjo taksë kanë shënuar rënie (p.sh. në bashkitë Berat, Gjirokastër, Dimal, Tropojë, Elbasan, Lezhë, Roskovec etj.). Bazuar në të dhënat mbi lejet e ndërtimit sipas INSTAT, sektori i ndërtimit duket të ketë përshpejtuar ritmin e rritjes të nisur që prej vitit 2017.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2022 u dhanë rreth 736 leje ndërtimi nga 61 bashkitë në vend, në rritje me 23% në terma vjetorë apo rreth 138 leje më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (që përkon me një rritje prej 48% të sipërfaqes së ndërtimit të miratuar për ndërtesa të reja).

Sipas numrit të lejeve të ndërtimit të dhëna, presioni zhvillimor rezulton të jetë i përqendruar kryesisht në bashkitë Tiranë (123 leje), Durrës (108 leje), Shijak (62 leje), Korçë (53 leje) etj.

Elisabeta Dosku / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat