Shqipëria Postuar më 27 Gusht 2026, 21:11

Ministri Salla: Sigurimet në bujqësi, skemë e re për mbrojtjen e fermerëve nga fatkeqësitë natyrore

Nga SCAN TV

Ministri Salla: Sigurimet në bujqësi, skemë e re për

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se është drejt përmbylljes puna për ngritjen e një skeme të sigurimeve në bujqësi, një mekanizëm i ri që synon të mbrojë fermerët dhe prodhimin bujqësor nga dëmet e shkaktuara prej fatkeqësive natyrore.

Duke iu referuar takimeve të zhvilluara me fermerët në të gjithë vendin dhe shqetësimeve të ngritura prej tyre për dëmet nga ngricat, breshëri, përmbytjet apo zjarret, Ministri Salla njoftoi se puna për ndërtimin e skemës është drejt përmbylljes.

“Për të gjithë ju fermerë me të cilët jam takuar në të gjithë vendin dhe që më keni ngritur shqetësimet tuaja për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, sot kam një lajm të mirë. Jemi në përmbyllje të ndërtimit të një skeme të sigurimeve në bujqësi, e cila do të krijojë një mekanizëm të ri mbështetjeje dhe mbrojtjeje për fermerët shqiptarë”, u shpreh Ministri Salla.

Skema synohet të jetë e aksesueshme si për fermat e vogla, ashtu edhe për ato të mëdha, duke u dhënë fermerëve më shumë siguri përballë ngjarjeve të paparashikueshme që mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në prodhim dhe në të ardhurat e familjeve fermere.

Ministri Salla theksoi se një nga elementët kryesorë të skemës do të jetë mbështetja nga Buxheti i Shtetit për një pjesë të primit të sigurimit, duke ulur kostot që duhet të përballojë fermeri dhe duke e bërë këtë instrument më të përballueshëm dhe të aksesueshëm.

“Fermeri nuk duhet të mbetet vetëm përballë një stuhie, një ngrice apo një zjarri që mund të dëmtojë punën e një viti të tërë”, theksoi Salla.

Sipas Ministrit, sigurimet në bujqësi synojnë të krijojnë më shumë mbrojtje, siguri dhe qëndrueshmëri për fermerët, por edhe një sektor më të përgatitur për të përballuar risqet që lidhen me fatkeqësitë natyrore.

“Me sigurimet në bujqësi, synojmë të krijojmë më shumë mbrojtje, më shumë siguri dhe më shumë qëndrueshmëri për fermerët, duke ndërtuar kështu një bujqësi shqiptare më të fortë dhe më të përgatitur për çdo sfidë”, u shpreh ai.

Në përfundim, Ministri Salla theksoi se puna do të vijojë për t’i kthyer problematikat e ngritura nga fermerët në terren në masa konkrete mbështetëse.

“Puna jonë vazhdon për t’i kthyer shqetësimet që na keni ngritur në zgjidhje konkrete”, përfundoi Ministri Salla.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat