Analiza Postuar më 27 Gusht 2026, 14:41

Gruri dhe misri në pikiatë, vetëm elbi me rritje/ Drithërat pranë minimumit të 6 viteve, humbëm mesatarisht 12 mijë tonë në vit

Nga Xhorxhina Deda

Gruri dhe misri në pikiatë, vetëm elbi me rritje/ Drithërat

Prodhimi i drithërave në vend ka vijuar rënien edhe gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave për prodhimin e bimëve të arave, gjatë vitit të kaluar u prodhuan 624 mijë tonë drithëra, nga 649.9 mijë tonë në vitin 2024.

Brenda një viti, prodhimi është pakësuar me rreth 25.9 mijë tonë, ose 4%. Krahasuar me vitin 2023, kur prodhimi arriti në 701.3 mijë tonë, rënia është edhe më e fortë, me rreth 77 mijë tonë.

Peshën kryesore në këtë tkurrje e mban gruri. Në vitin 2025, prodhimi i grurit zbriti në 162.6 mijë tonë, nga 180.8 mijë tonë një vit më parë, duke shënuar një rënie prej 10.1%.

Ky është njëkohësisht niveli më i ulët i prodhimit të grurit gjatë periudhës 2020-2025. Në vitin 2020, vendi prodhonte 233.4 mijë tonë grurë, që do të thotë se brenda pesë viteve prodhimi është tkurrur me më shumë se 30%, ose me rreth 71 mijë tonë.

Edhe prodhimi i misrit, që zë pjesën më të madhe të prodhimit të drithërave, shënoi rënie. Në vitin 2025 u prodhuan 400.5 mijë tonë misër, rreth 9.9 mijë tonë më pak se në vitin 2024, ose një rënie prej 2.4%. Megjithatë, prodhimi i misrit mbetet thuajse në të njëjtat nivele me vitin 2020.

Në drejtim të kundërt ka lëvizur elbi. Prodhimi u rrit nga 23.8 mijë tonë në vitin 2024, në 27 mijë tonë në 2025, ose me 13.4%. Krahasuar me vitin 2020, prodhimi i elbit është më shumë se dyfishuar.

Prodhimi i thekrës u rrit lehtë, nga 2.9 në 3.1 mijë tonë, ndërsa tërshëra ra nga 31.9 në 30.8 mijë tonë.

Të dhënat tregojnë se pas nivelit më të lartë të regjistruar në vitin 2023, prodhimi i përgjithshëm i drithërave ka hyrë në një trajektore rënëse, duke zbritur në vitin 2025 në nivelin më të ulët të gjashtë viteve të fundit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat