Me laps dhe letër Postuar më 9 Shtator 2022, 16:16

TVSH, nga 20% në 5.3%/ Lëvizja do të zeronte efektin e “fryrjes” së arkës nga rritja e çmimeve dhe barazonte paketën e solidaritetit

Nga SCAN TV
TVSH, nga 20% në 5.3%/ Lëvizja do të zeronte efektin e

Nëpërmjet aktit të ri normativ të qeverisë shqiptare në lidhje me rishikimin e buxhetit për vitin aktual, parashikohet se të ardhurat tatimore këtë vit gjithsej projektohen të jenë 40 miliardë lekë më shumë se çfarë parashikohej fillimisht në buxhetin e këtij viti. Ndërkohë, krahasuar me aktin normativ të marsit të këtij viti, kur u rishikua për herë të parë buxheti, parashikohen 30 miliardë lekë më shumë të ardhura në arkën e shtetit. Pjesa dërrmuese e këtyre të ardhurave shtesë në buxhet janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e rritjes së çmimeve, pra TVSH-së së arkëtuar në masën 20% mbi mallrat dhe shërbimet e konsumuara nën regjimin fiskal të Republikës së Shqipërisë.

Pra, shteti shqiptar, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së ndjeshme të çmimeve këtë vit, parashikon të arkëtojë rreth 40 miliardë lekë më shumë. Por sa është realisht kjo shumë? “Scan Intel” ka bërë një analizë tjetër të 40 miliardë lekë-shit, i cili përkthehet në plot 340 milionë euro. Kjo shifër është e barabartë me thuajse 1.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të ekonomisë shqiptare.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka lajmëruar gjatë ditëve të fundit zgjerimin e paketës antikrizë. Paketa e 2-të e rezistencës sociale parashikon se efekti financiar i këtyre ndërhyrjeve, që nga indeksimi i pensioneve, ndihmës ekonomike, asistencës për personat me aftësi të kufizuar, fermerët, e deri te rritja e pagave në administratë do të jetë 43.1 miliardë lekë. Pra, përtej njëfarë kakofonie të shifrave, qeveria pretendon se do të rikthejë mbrapsht për qytetarët të gjithën “fitimin” shtesë për vitin aktual, që vlerësohet në 40 miliardë lekë. Por, nga kjo paketë nuk përfitojnë të gjitha shtresat, ndërkohë që nga indeksimi i pensioneve, rritja mujore mesatare për një pensionist parashikohet në diçka më shumë se 700 lekë.

TVSH e arkëtuar bruto nga tatimet gjatë vitit të kaluar fiksohet në 54.4 miliardë lekë. Pra, kaq është shuma që arka e shtetit mbledh nga TVSH prej 20% që kushdo nga ne paguan për mallrat dhe shërbimet. Nëse kjo tvsh do të ishte ulur ndjeshëm, efekti financiar për buxhetin e shtetit do të ishte i njëjtë me atë të paketës antikrizë. Thënë më thjeshtë, me një TVSH në 20% arka e shtetit arkëton rreth 54.4 miliardë lekë në vit (bruto, pa rimbursimet). Në rast se kjo TVSH do të zbritej në 5.3%, do të arkëtonte vetëm 14.4 miliardë lekë, pra 40 miliardë lekë më pak, aq sa është fitimi i qeverisë këtë vit nga rritja e çmimeve, dhe aq sa vetë qeveria pretendon se do ia rikthejë qytetarëve në formën e paketës së solidaritetit. Nëpërmjet uljes së TVSH përfitojnë të gjithë individët, por edhe biznesi, duke ndihmuar në mënyrë të njëtrajtshme. Në këtë përllogaritje janë përfshirë vetëm shifrat zyrtare, pavarësisht se disa prej tyre ngrenë mjaftueshëm pikëpyetje, siç është edhe vlera prej 43.1 miliardë lekësh, ndërkohë që nuk rezulton të jetë i zbërthyer efekti i amortizimit të çmimit të energjisë.

Kujtojmë se një sërë vendesh europiane, por edhe në rajon dhe fqinjët tanë kanë vepruar gjatë krizës duke ulur TVSH-në, sidomos për produktet e shportës. Ulja e TVSH-së është kërkuar vazhdimisht nga ekspertët dhe grupet e interesit dhe biznesit që me nisjen e krizës së çmimeve.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat