Analiza Postuar më 18 Shtator 2022, 09:56

Llogarit nivelin e alkolit në gjak/ Manual për drejtuesit e mjeteve, nga niveli i lejuar, krahasimi me Europën e deri te masat ligjore

Nga SCAN TV

Llogarit nivelin e alkolit në gjak/ Manual për drejtuesit e mjeteve,

Drejtuesit e mjeteve nën ndikimin e alkolit shpesh herë janë bërë shkak për shumë aksidente përfshirë këtu edhe ato me pasoja fatale, por përpos kësaj, tejkalimi i normave të lejimit të alkolit për shumë shoferë sjell një sërë masash administrative dhe penale, duke filluar nga gjoba, pezullimi i patentës e deri në burgim. E rëndësishme në të dy rastet është të jemi në dijeni mbi ligjin e qarkullimit rrugor, si dhe të jemi të ndërgjegjshëm mbi pasojat që vijnë nga mosrespektimi i tij. Megjithatë, sa është limiti i alkolit që mund të konsumojmë për të qenë të parrezikshëm në rrugë për të tjerë dhe për veten, si varion mes vendeve të ndryshme të Europës dhe me çfarë masash përballen personat të cilët e tejkalojnë normën? “Scan Intel” ka kryer një analizë rreth këtyre pyetjeve ku në pah dalin përgjigje mjaft interesante.

Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, i përditësuar, në nenin 184 përcakton qartë se niveli i alkolit në gjak duhet të jetë zero nëse nuk duam të përballemi më masa administrative. Në dokument thuhet se nëse drejtuesi i mjetit korrespondon me një përmbajtje alkolike nga 0 deri në 0,3 gram për litër do marrë masën administrative gjobë e cila është dhe masa më e lehtë. Pra kodi rrugor në vendin tonë tregon qartë se nuk është aspak tolerant sa i përket kufinjve të nivelit të alkolit në gjak dhe nëse ke ndërmend të ndezësh makinën duhet të sigurohesh që nuk ke konsumuar as edhe një pikë alkol. Por si paraqitet ky tregues në vendet e tjera të Europës? Sipas shifrave, kufinjtë e nivelit të alkolit ndryshojnë nga vendi në vend ndërkohë që Shqipëria renditet mes vendeve të cilat kanë pragun e lejimit 0, pra klasifikohet ndër vendet aspak tolerante. Po ashtu, nëse drejton makinën në vende të Europës si Bullgaria, Çekia, Hungaria, Rumania dhe Sllovakia vlera e alkolit në gjak duhet të jetë zero në mënyrë që mos të përballesh me masat administrative. Vlera më e lartë e lejuar sa i përket alkolit në gjak regjistohet në Maltë dhe në Britaninë e Madhe me 0.8 gram.

Shtetet me pragun më të ulët të vlerës së lejuar (përvëc vendeve që e kanë zero) janë Zvicra, Polonia dhe Estonia me 0,2 gram për litër. Ndërkohë, sipas përllogaritjes mesatarja në vendet e Europës regjistrohet në 0.46 gram për litër. Por cilat janë masat administrative në vendin tonë nëse tejkalohet masa e lejuar? Referuar kodit rrugor nëse masa e alkolit në gjak është deri në 0.3 gram për litër gjobat variojnë nga 5,000 deri në 15,000 lekë. Me rritjen e nivelit të alkolit rriten edhe masat administrative. Kështu, nëse në gjak gjejmë nivel alkoli 0.3 deri në 0.5 gram për litër gjoba llogaritet nga 10,000 në 20,000 shoqëruar me pezullim patente nga 3 muaj deri 6 muaj. Gjoba më e rëndë prej 20,000 deri në 40,000 si dhe shoqëruar me pezullim të patentës 12 deri në 24 muaj mund të hyjë në fuqi nëse drejtuesit të automjetit i gjendet në gjak në sasi alkoli nga 0.8 deri në 1.5 gram për litër. “Scan Intel” ndër të tjëra ka vijuar analizën duke llogaritur kohën që duhet të kalojë që nga konsumi deri në ngarjen e makinës në mënyrë që të jemi në përputhje me ligjin dhe në respekt të jetës.

Kjo përllogaritje është bërë në varësi të llojit të alkolit si dhe masës së konsumuar. Për të llogaritur sa thamë më sipër është marrë një konstante peshe trupore prej 70 kg si për meshkujt ashtu edhe për femra (për çështje përllogaritje). Nga të dhënat del në pah se për sasi të njetë alkoli niveli i tij në gjak për femrat është më i lartë se për meshkujt. Nëse një mashkull i kësaj peshe konsumon një shishe birrë me alkol 4.5% me sasi prej 0.33 litrash, përqëndrimi i alkolit në gjak i matur brenda orës së parë të konsumit llogaritet 0.27 gram për litër. Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për femrat ky tregues llogaritet në 0.33 gram për litër (me peshë trupore 70 kg). Por pas sa kohësh mund të drejtosh mjetin nëse ke konsumuar një shishe birrë prej 0.33 litrash? Matësi i alkolit tregon se vetëm pas tre orësh pasi ke pirë një birrë mund të ngasësh makinën. Po nëse ke konsumuar një gotë verë prej 150 ml? Në momentin që një mashkull me peshë trupore prej 70 kg ka konsumuar një gotë verë niveli i alkolit në gjak përllogaritet në 0.64 gram për litër.

Matësi tregon se pas konsumit të kësaj mase alkoli duhet të kalojnë më shumë se 4 orë në mënyrë që të jetë në përputhje me ligjin. Nëse do të flisnim për femrat, matësi tregon se nëse kanë konsumuar një gotë verë 150 ml mund të ngasim makinën pas më shumë se 4 orë. Nga analiza e shifrave vihen re diferenca mes llojeve të ndryshme të alkolit. Kështu, nese një mashkull konsumon një gotë raki prej 50 ml, përqëndrimi i alkolit në gjak në momentin e konsumit llogaritet në 0.58. Koha që duhet të kalojë për të ngarë makinën është afërsisht pas katër-pesë orë. Megjithatë, duhet të rikthesojmë se niveli i alkolit nuk matet vetëm nga indikatorët të cilët i përmendëm më lart, pasi veç peshës trupore, në "skenë" hyjnë edhe faktorë të tjerë, si stomaku bosh apo plot, faktorë psikologjikë, etj. Qëllimi i kësaj guide nga “Scan Intel” nuk është vetëm informimi, por edhe ndërgjegjësimi mbi efektet që mund të shkaktojë ngarja e makinës nën efektin e pijeve alkolike.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat