Shqipëria Postuar më 18 Maj 2022, 13:10

“Tenderët, rrezik i lartë korrupsioni” - Raporti: Keqmenaxhim i fondeve publike, me risk edhe shëndetësia e arsimi!

Nga SCAN TV

Prokurimet publike janë një prej sektorëve me rrezikshmëri të lartë në drejtim të korrupsionit. Sipas raportit mbi ecurinë në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian për vitin 2021, i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, në këtë fushë janë evidentuar probleme të ndryshme procedurale si dhe raste të keqmenaxhimit të fondeve publike.

Ndërkohë që, Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit po heton disa çështje që lidhen me prokurimin publik, për të cilat do të përgatitet një raport përfundimtar me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse. Paralelisht, sipas raportit ka edhe sektorë të tjerë me rrezikshmëri të lartë korrupsioni sikurse është ai i shëndetësisë dhe arsimit, për të cilët gjithashtu po hetohen disa raste. Teksa edhe sektori i pronësisë, paraqet rrezikshmëri të lartë në këtë drejtim.

Këto konstatime vijnë si një përgjigje ndaj një prej gjetjeve të raportit të Komisionit Evropian, që kontatonte se ndikimi i masave kundër korrupsionit veçanërisht në fushat vulnerabël, që janë: doganat, tatimet, arsimi, shëndetësia, prokurimet publike, kontratat PPP, etj., mbetet i kufizuar.

Ndërkaq, në drejtim të adresimit të rekomandimit që kërkonte përmirësimin e mëtejshëm të kapacitetit të inspektimeve në prokurimin publik, Drejtoria e Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm ka propozuar  disa masa, që parashikohen të realizohen gjatë vitit 2022.

Trajnimi i audituesve të brendshëm dhe inspektorëve financiarë lidhur me riskun e korrupsionit në njësitë publike, është një prej këtyre masave. Po ashtu, parashikohet raportimi dhe koordinimi i punës ndërmjet inspektimit financiar dhe auditimit të brendshëm dhe anasjelltas, si dhe raportimi i gjetjeve të auditimit të brendshëm mbi dobësitë e Kontrollit të Brendshëm të identifikuara në njësitë e qeverisjes tek Bordi i Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat