Shqipëria Postuar më 27 Qershor 2024, 11:17

Strategji e re për Parandalimin e Pastrimit të Parave - Dokumenti, për konsultim publik. Cilat janë 4 prioritetet bazë deri në vitin 2030?

Nga SCAN TV
Strategji e re për Parandalimin e Pastrimit të Parave - Dokumenti,

Shqipëria pritet të ketë një strategji të re kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit deri në vitin 2030. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka nxjerrë për konsultim publik dokumentin përkatës, që bazohet në katër prioritete, të cilat janë: Përmirësimi i politikbërjes dhe koordinimit; Rritja e mëtejshme e efektivitetit operacional në parandalim; Përmirësimi i efikasitetit operacional të organeve ligjzbatuese dhe agjencive të tjera në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe përdorimi e shfrytëzimi i inovacioneve teknologjike duke zvogëluar rreziqet.

Referuar strategjisë, përmirësimi i politikbërjes dhe koordinimit ka si qëllim mbylljen e boshllëqeve ligjore dhe rregullative në sistemin kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke synuar zvogëlimin e mundësive të shfrytëzimit nga aktorët e paligjshëm për të hyrë anonimisht në sistemin financiar të Shqipërisë.

Rritja e efektivitetit në shtyllën e parandalimit synon përmirësimin e mëtejshëm të sistemit parandalues në tërësi me qëllim rritjen e aftësisë zbuluese të sistemit. Në strategjinë kombëtare theksohet se, nisur nga fakti që në vlerësimin e fundit nga Moneyval efektiviteti rezultoi me mangësi në disa dimensione, i është kushtuar rëndësi e veçantë duke synuar rritjen e fokusit në parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nga disa kategori subjektesh me risk të lartë apo të mesëm, si dhe atyre që kanë mangësi në raportimin e aktivitetit të dyshimtë.

Gjithashtu, synohet rritja e raportimit të aktivitetit të dyshimtë, si dhe larmishmërisë së tipologjive të dërguara nga kategori subjektesh si p.sh kontabilist, auditues ligjor, ndërmjetës në shitblerje pasurish të paluajtshme, shoqëri ndërtimi, etj.

Ndërkohë, pritet të konsolidohet procesi i mbikëqyrjes mbi bazën e riskut, si dhe do të caktohen burime njerëzore të përshtatshme në numër të dedikuara për mbikëqyrjen në disa kategori subjektesh sipas nivelit të rrezikut të identifikuar.

Strategjia Kombëtare 2024-2030, parashikon rritje të aksesit të organeve ligjzbatuese,  inteligjencës dhe subjekteve të tjera të përcaktuara në ligj në regjistrat e disponueshëm në vendin tone, përmirësim të koordinimit dhe bashkëpunimit kombëtar për hetimin për veprën penale të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Gjithashtu, do të rriten sekuestrimet dhe veçanërisht konfiskimet e aseteve kriminale, do të zbatohet një sistem efektiv i mbledhjes së të dhënave për pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet ngritjes së sistemeve efektive për mbajtje dhe analizim të dhënash statistikore, si dhe synohet rritja e efektivitetit të kontrollit në kufi për deklarimet e parasë fizike, apo sendeve me vlerë.

Një tjetër prioritet i kësaj strategjië është edhe përdorimi dhe shfrytëzimi i inovacioneve teknologjike duke zvogëluar rreziqet. Organet e ngarkuara parashikohet të raportojnë në Agjencinë e Inteligjencës Financiare çdo 4 muaj për masat e marra në përputhje me planin e veprimit të kësaj strategjie.

Në vijim të vlerësimit të fundit nga Moneyval (2018), Shqipëria u fut në të ashtuquajturën listë gri (2020), nga ku doli në vitin 2023 si pasojë e zbatimit dhe përmirësimit të një sërë masash e rekomandimesh të përcaktuara nga organet monitoruese ndërkombëtare. Kjo strategji synon do të ndihmojë veç të tjerash edhe procesin e vlerësimit të radhës nga Moneyval (2025), duke ndërgjegjësuar më mirë e koordinuar me tej aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftën ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Dorian Koça/SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 27 Qershor

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan behet sot me 93.1 lekë dhe shitet me 94.1 lekë duke e nisur ditën negativisht dhe në rënie në raport e ditën  e djeshme. Euro blihet sot me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat