Shqipëria Postuar më 6 Mars 2023, 14:32

Si u shpërndanë 994 milionë euro për vepra publike? - “Sëmundja” e qeverisë, fundviti periudha e artë për të “hedhur” para’

Nga SCAN TV
Si u shpërndanë 994 milionë euro për vepra publike? -

Qeveria ka shpërndarë në total 114 miliardë lekë apo 994 milionë euro për investime publike përgjatë vitit që lamë pas. Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, pjesa më e madhe e fondeve është nga buxheti i shtetit, pra me financim të brendshëm, ndërsa po ashtu një vlerë të konsiderueshme përfaqëson edhe fondi i rindërtimit.

Konkretisht nga paratë e disbursuara gjatë vitit që lamë pas, 59.5 miliardë lekë janë financim i brendshëm, 28.8 miliardë lekë e zë fondi i rindërtimit, 24.7 miliardë lekë zënë projektet me financim të huaj dhe 1 miliardë lekë janë investime nga të ardhurat e arsimit të lartë. Fondet e akorduara për rindërtimin, pavarësisht se kanë kaluar 4 vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, zënë rreth 25 për qind të investimeve totale.

Nëse do të shikonim ecurinë e investimeve përgjatë gjithë vitit duke u fokusuar tek fondi i rindërtimit vihet re disbursim i pabarabartë ndër muaj. Pra e thënë ndryshe, nëse gjatë 11 muajve janë shpenzuar mesatarisht 0.5 deri në 2 miliardë lekë, në Dhjetor kjo shifër ka kapërcyer në 13.7 miliardë lekë, apo 47.6 për qind e fondit të disbursuar vetëm në një muaj.

Po ashtu, i njëjti handikap vërehet edhe tek projektet me financim të brendshëm, ku pjesa me e madhe e disbursimit të fondit është përqendruar në muajin Nëntor dhe Dhjetor, me një vlerë 3-4 herë më të lartë se muajt e tjerë të vitit.  Nga shifrat rezulton se 52.8 për qind e fondit total të investimeve me financim të brendshëm është përdorur në dy muajt e fundit të vitit.

Ndërsa investimet me financim të huaj, kanë ndjekur një trajektore më normale disbursimi, e shpërndarë ndër muaj, ku muaji me vlerën më të lartë rezulton Nëntori me rreth 7.8 miliardë lekë. Përqendrimi i fondeve në muajt e fundit të vitit është një praktikë e pa shëndetshme që fatkeqësisht është bërë rrugë për institucionet shtetërore. Një shpërndarje e tillë sjellë vonesa në ecurinë e projekteve publike dhe nga ana tjetër akumulimi i parave në fund të vitit nxit nënshkrim kontratash të shpejta dhe që nuk kalojnë filtrat e duhur.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat